Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit ka sqaruar pse janë krijuar radha të gjata në disa prej pikave kufitare tokësore të Shqipërisë me vendet fqinje.
Policia tha se “në zbatim të urdhrit nr. 351, datë 29.05.2020, të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, Policia Kufitare ka marrë masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor, për vijimin normalisht dhe pa probleme të aktivitetit kufitar. Në këtë kuadër i gjithë personeli i Policisë Kufitare në pikat e kalimit kufitar është pajisur me maska dhe dezinfektantë për mbrojtjen nga COVID-19.
Në lidhje me shtetet fqinje situata e kalimit kufitar është si më poshtë:
Në Republikën e Malit të Zi lejohen të hyjnë pa asnjë pengesë dhe kufizim vetëm qytetarët nga shtetet në listën e miratuar nga ana e tyre (shtete të cilat kanë shkallën e rasteve aktive të koronavirusit më pak se 25 për 100 000 banorë), listë në të cilën bën pjesë edhe Republika e Shqipërisë.
Për Republikën e Kosovës lejohen të hyjnë të gjithë shtetasit, por në qoftë se nuk posedojnë konfirmim zyrtar brenda një afati kohor prej 4 ditësh që janë “negativ” me COVID-19, atëherë duhet të plotësojnë formularin përkatës për vetëkarantinim për një periudhë 7-ditore, ndërsa kamionët duhet t’i nënshtrohen procesit të dezinfektimit para se të hyjnë në territorin kosovar.
Policia Kufitare shtoi se ka marrë një sërë masash shtesë edhe në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare, qoftë në pikat e kalimit, ashtu edhe në kufirin e gjelbër dhe atë blu.
© SYRI.net