Haziri, për dallim nga Mustafa, i beson anketës së UNDP-së

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherazi nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i beson anketës së UNDP-së, e cila tregon se rreth 60 përqind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe rreth 72 për qind me atë të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

Rezultatet e asaj ankete ishin kontestuar nga kryetari i LDK-se, Isa Mustafa, që ka insistuar se Qeveria e udhëhiqur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka punuar mirë.

Haziri ka deklaruar se ministrat e deleguar nga LDK-ja në këtë Qeveri, por edhe kryetarja Vjosa Osmani gëzojnë një mbështetje tek qytetarët, të cilët kanë vlerësuar punën e tyre.

Ai në të njëjtën kohë e ka bërë të ditur se nuk ka synim që të udhëheqë me komunën e Gjilanit pasi t’i skadojë mandati dhe se në zgjedhjet e ardhshme lokale një kandidat tjetër do të caktohet nga LDK-ja, raporton KOHA.

Haziri po ashtu ka thënë se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, e cila pritet të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

“Nuk e shoh vetën në këtë kabinet, do të vazhdoj të jem kryetar i Gjilanit deri në vitin 2021 dhe nuk kam plane për rikandidim, ngase kam filluar një tërheqje të butë nga roli aktiv në politikën komunale. Vlerësimi i UNDP-së ka treguar qartë që kuadrot e LDK-së kanë mbështetje popullore, edhe Kryetarja e Kuvendit, e edhe ministrat e LDK-së. Kolegët e mi është dëshmuar se kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

Ai thotë se kryeministri në ardhje, Avdullah Hoti do të përballet me pasojat e pandemisë në ekonomi, gjersa në rrafshin politik do të përballet me dialogun Kosovë-Serbi që do të udhëhiqet nga Qeveria. Ai ka shtuar se parimet e dialogut janë të qarta dhe se Kosovës në këtë dialog nuk do t’i cenohet sovraniteti dhe as territori.

“Përballja me efektet e pandemisë në ekonomi besoj që është sfida më rëndë karshi politikës së brendshme. Karshi politikës së jashtme është procesi i dialogut me Serbinë. Kosova nuk do të humbë asgjë në këtë drejtim, por do ta kapërcejë rubikonin politikisht për ta marrë ulësen në OKB dhe për ta hapur perspektivën evropiane dhe integrimet në NATO. Dhe për këtë mendoj që Hoti nuk do ta ketë të lehtë. Por në fund e dimë që Republika e Kosovës, sovraniteti i saj dhe territori janë të panegociueshëm”, ka thënë Haziri në konferencën për shtyp që është mbajtur të hënën.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme