Në sondazhin e realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) ndërmjet 2 shkurtit dhe 6 marsit të vitit 2020-të, në pyetjen se cili politikan është më i besueshëm, lideri më i votuar në Maqedoninë e Veriut rezultoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev me 8%.
Në rezultatet për Maqedoninë e veriut, pas Zaevit renditet lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski me 7%. Lista pastaj vazhdon me Ali Ahmetin (2%) dhe Ziadin Selën(2%).
Në Kosovë, si lideri më i besuar ka rezultuar Albin Kurti, në Serbi është Aleksandar Vuciq, në Bosnjë e Hercegovinë është Zelkjo Komsic (6%), ndërsa në Malin e Zi është Milo Djukanoviç (17%).
Institucionet më të besueshme në RMV sipas anketës janë institucionet fetare dhe arma.
Anketa nxjerr rezultatet nga pesë shtetet e Ballkanit, nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Metodologjia
Ky sondazh u zhvillua për Qendrën për Hulumtime të Sondazheve nga Ipsos Bosnjë dhe Hercegovina, prej 2 shkurt deri më 6 mars 2020. Të dhënat janë mbledhur nëpërmjet intervistave personale në shtëpi, në secilin prej vendeve të përfshira me shkallë të përgjigjeve prej 50 deri 85 për qind duke përdorur shtresëzimin shumëpjesësh në përpjesëtim me shpërndarjen e popullsisë. Madhësia e mostrës sipas vendit ndryshon midis n=966 dhe n=1,517 dhe margjina e gabimit ndryshon nga 2.5 në 3.2 pikë. Sondazhi u mundësua me mbështetjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Ndryshe, në sondazhin e fundit shumëkombësh të Ballkanit Perëndimor, i zhvilluar nga Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) për Hulumtime të Sondazheve (QIHS) zbulon mendime të ndara për Shtetet e Bashkuara si një partner ekonomik dhe politik, por edhe entuziazëm për lidhje më të forta me Bashkimin Evropian (BE).
Të pyetur se cilët kombe janë partnerët më të rëndësishëm ekonomik, publiku dha përgjigje të ndarë, ku shumica dërmuese (94 për qind) në Kosovë përmendi Shtetet e Bashkuara, në krahasim me vetëm 13 për qind të popullatës në Serbi që ndante ndjenjën e njëjtë.
Entuziazmi për anëtarësim në BE mbetet gjithashtu i lartë: Kur u pyetën se si do të votonin nëse të nesërmen do mbahej një referendum, shumica e të anketuarve në të gjitha vendet tha se do të votonin në favor të integrimit në BE. Në Kosovë, një shumicë dërrmuese (93 për qind) mbështesin pranimin, dhe shumica e fortë në BH (76 për qind) dhe Maqedoni të Veriut (74 për qind) gjithashtu do të votonin për t’u anëtarësuar në BE.