Kryetari i KMDLNJ- QR-Mitrovicë, Halit Barani i ka quajtur shpifje pretendimet se babai i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, Raifi, ishte pjesë e Policisë së Serbisë. Përkundrazi, sipas tij, Osmani ishte në shërbim të popullit shqiptar dhe interesave kombëtare.
Barani sqaroi se ka të dhëna të sakta se Osmani kishte punuar si referent në ish Sekretariatin Komunal të Mbrojtjes Popullore në Mitrovicë deri më 15.III.1989, kur është larguar nga puna si njeri i papërshtatshëm politikisht, pasi që ka rënë ndesh më politikën serbe të asaj kohe ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.
Ja njoftimi i plotë:
KOMUNIKATË PËR OPINION
Lidhur me shkrimet në disa portale e medie se qytetari nga Mitrovica, Raif Osmani ka shërbye në policinë e Serbisë dhe me qëllim të informimit të drejtë të opinionit të gjerë në Kosovë Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë, deklaron se në dokumentacionin e gjerë dhe të pasur që ky këshill posedon, nuk ka asnjë të dhënë se Raif Osmani ka shërbyer ndonjëherë në ish policinë (milicinë) e Serbisë.
Përkundrazi, KMDLNJ-QR në Mitrovicë, ka të dhëna të sakta se Raif (Ramadan) Osmani, i lindur më 28.VI.1945 në fshatin Zhabar i Ultë, me vendbanim të përhershëm në lagjen”Bair” në Mitrovicë, ka punuar si referent në ish Sekretariatin Komunal të Mbrojtjes Popullore në Mitrovicë deri më 15.III.1989, kur është larguar nga puna si njeri i papërshtatshëm politikisht, pasi që ka rënë ndesh më politikën serbe të asaj kohe ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.
Duke qenë se ajo politikë e shtetit të Serbisë ishte kundërshqiptare dhe kundër interesave të Kosovës, Raif Osmani, bashkë me disa kuadro tjera shqiptare që po ashtu e kundërshtonin politikën antishqiptare dhe antikosovare serbe, ndër të cilët ishin edhe Shahin Bajgora e Fadil Bajgora, gjatë viteve 1990-1993 kishin formuar sistemin paralel për mbrojtjen e intersaave të Republikës së Kosovës.
Po ashtu sipas të dhënave që ka KMDLNJ-QR në Mitrovicë, për këtë arsye, më 14.IV.1994, Raif Osmani ishte arrestuar nga policia (milicia) serbe në shtëpi të vet, në lagjën “Bair”, për tu liruar pas katër ditësh, i dërrmuar nga dhuna që polcia serbe kisht ushtruar ndaj tij. Në të njëjtën ditë ishin arrestuar edhe Shahin Bajgora, Fadil Bajgora, Feriz Fetahu etj.
Mitrovicë, 8.VI.2020 Kryetari i KMDLNJ- QR-Mitrovicë
Halit Barani