Sot ambasadori i Republikë së Bullgarisë në Shkup, Shkëlqesia e Tij, z. Angel Aleksandrov Angelov, ishte në vizitë në SHB “Logos-A”, ku u prit nga drejtori, dr. Adnan Ismaili.
Me këtë rast drejtori Ismaili e njoftoi Ambasadorin Angellov për veprimtarinë botuese të Logosit, duke theksuar se Logos-A është ndër botuesit e paktë në vendin tonë dhe botuesit e rrallë shqiptar që ka botuar edhe në gjuhën bullgare.
Ambasadori u interesua edhe për mundësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e përkthimit të letërsisë bullgare në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Ambasadori shfaqi shpresën se botimet e Logosit dhe të botuesve të tjerë shqiptarë do të prezantohen edhe në panairet e librit në Bullgari dhe bashkëpunimi ndërkulturor do të thellohet.
Në fund të takimit, në shenjë të urave të bashkëpunimit të pritur, drejtori Ismaili ia dhuroi Ambasadorit një punim me Urën e Gurit të Shkupit.