Në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës pritet të marrin dritën e gjelbër pesë marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat vendit do t’ia sjellin rreth 200 milionë euro.
Për të arritur këtë, shumicës minimale në Kuvend do t’i dalë në krah edhe opozita. Në mënyrë që të sigurohet vota e mbi 81 deputetëve, aq sa nevojitet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i bllokojë ato. Ndërkaq “aleatja” e saj PDK ende nuk e ka definuar si do të veprojë gjatë seancës së kësaj jave.
E në partinë e ish-kryeministrit Kurti shprehën se do t’i shtyjnë përpara edhe nismat legjislative, për cilat të zgjedhurit e popullit në këtë mandat kanë qenë të ngurtë.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha për KosovaPress se në seancën plenare nuk do të veprojnë me qasjen bllokuese sikur partitë e tjera.
“Ne nuk do të bëjmë atë çfarë ka bërë LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja, Nisma, Srbska e të tjerët. Ne nuk do t’i bllokojmë ato të cilat janë të nevojshme edhe tash, ashtu sikur kanë qenë kur ne kemi kërkuar të votohen. Ne kemi qëndrimin e njëjtë, qoftë për t’i mbështetur, qoftë për t’i proceduar. Pavarësisht se kemi humbur një kohë si rezultat i bllokimit të të tjerëve. Ne nuk do të bëjmë një gjë të tillë, ne kundërshtimet që do t’i kemi do t’i bëjmë në mënyrë parimore. Kundërshtimet tona do të jenë në parimore dhe të mbështetura në argumente, jo në bllokada politike për shkak të oponencës”, u shpreh ai për KosovaPress.
Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” thotë për KosovaPress se në bazë të praktikave të kaluara, miratimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare nuk do të jetë problem gjatë seancës së sotme.
“Marrëveshjet ndërkombëtare janë një çështje të cilën kërkon 2 e votave të deputetëve. Kërkon një konsensus më të gjerë se një shumicë e thjesht parlamentare. Këto marrëveshje janë të grumbulluara qysh prej zotit Haradinaj të cilat nuk kanë mundur të ratifikohen në Kuvend. Kryesisht janë çështje me marrëveshje financiare, financim të projekte dhe bashkëfinancim. Si të tilla zakonisht nuk kanë pasur problem dhe janë përpjekur prej të gjitha subjekteve politike. Nuk besoj që do të has në vështirësi për t’i siguruar votat e nevojshme për ratifikim e këtyre marrëveshjeve. Po ashtu disa prej tyre janë negociuar prej qeverisë Kurti. Besoj që edhe vet Lëvizja Vetëvendosje do t’i përkrahë”, deklaroi ai.
Se ka pasur zvarritje të këtyre projektligjeve e tha të hënën edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
“Janë projektligje të cilat ka një kohë që po presin në Kuvend. Për shkak të mos konsensusit në të kaluarën nuk kalonin”, kishte thënë ajo.
Në kuadër të këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare janë huadhënie, bashkëfinancim dhe donacione në luftimin e pandemisë Covid-19. Ndërsa dy marrëveshje të tjera, njëra me Bankën Botërore rreth 50 milionë euro nuk janë proceduar për këtë javë në Kuvend.
Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e së hënës, procedoi për mendim në qeveri edhe katër iniciativa ligjore të Kuvendit që kanë të bëjnë me projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, Projektligji për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19”, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike, si dhe atë për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.