Nga Kim Mehmeti
Jo sot, por gjithmonë, shqiptarët e Maqedonisë kanë mundur të kenë një nga tre postet më të larta shtetërore. Por për këtë duhej të kishin politikanë shqiptarë që nuk do vraponin drejt selive të partive fituese maqedonase ende pa përfunduar zgjedhjet parlamentare, por që do thoshin: Ne nuk duam pushtet, pa pasur shtet!
Andaj është ofenduese për shqiptarët e Maqedonisë kur për Kryeministrin shqiptarë angazhohet kryevasali që dy dekada me radhë, besnikërisht u shërbeu partive maqedonase – kryetari i BDI-së, ai që nuk kërkoi përgjegjësi nga ata që e botuan Enciklopedinë ofenduese për shqiptarët, ai që donte të na bindë se luani bullgarë është simboli ynë kombëtarë, ai që u shërbeu ndershëm atyre që e deshqiptarizuan Shkupin duke e mbuluar atë me përmendore të heronjve serb e bullgar, ai që ishte në qeveritë që montuan raste për ta burgosur pafajësinë shqiptare, siç ishin Sopoti, Brodeci, Monstra…, ai që nuk kërkoi përgjegjësi as nga ata që likuiduan Harun Aliun me shokët, as nga ata që kurdisën tradhtinë e madhe në Lagjen e Trimave të Kumanovës.
Pra është përbuzëse për shqiptarët e Maqedonisë që idenë për Kryeministrin shqiptarë në Maqedoni ta promovosh sot kur edhe peshqit e detit e dinë se shqiptarët e këtushëm nisën të forcohen kur u dobësua BDI-ja, kur edhe fëmijët e dinë se dy dekada me radhë, sa BDI-ja ishte e vetmja parti shqiptare që u shërbente sunduesve maqedonas, u institucionalizua pandëshkueshmëria ndaj antishqiptarisë!
Pra është përbuzje e inteligjencës kolektive shqiptare të del e të ‘flijohet’ për kryeministër shqiptarë në Maqedoni krytari i BDI-së, ai që kur e pa se nuk do fitojë asnjë komunë shqiptare, u vëllazërua me LSDM-në maqedonase dhe me të gjithë antishqiptarët tjerë, për t’i luftuar partitë tjera shqiptare?!
Por ka diçka që është edhe më absurde dhe më tallëse për shqiptarët e Maqedonisë nga kjo që u tha më lartë: kur e sheh sa janë mahnitur nga kjo ide e ‘padëgjuar’ e kryetarit të BDI-së. të gjithë ata që janë ‘ajka’ e mendimit të lirë e kritikë të shqiptarëve të Maqedonisë! Ata të cilët sikur të ishin atë që thonë për vetveten, kryetarit të BDI-së do i thoshin: Mos u tallë me ne se të njohim cili je!