Hakmarrja e Boltonit kundër Trumpit

Sipas John Boltonit, ish-këshilltarit më të rëndësishëm të Donald Trumpit, në Shtëpinë e Bardhë zot shtëpie është një injorant që mendon se Finlanda është pjesë e Rusisë, nuk e di që Britania ka armë bërthamore dhe ndihmë elektorale kërkon nga Kina. Ministri i Jashtëm Mike Pompeo citohet ta ketë quajtur Trumpin: “so full of shit”

Në librin e tij të ri “The Room Where It Happened” – që afërsisht i bie: “Dhoma ku ndodhi”, John Bolton, ish-këshilltar për siguri nacionale, nxjerr detaje që presidentin Donald Trump e bëjnë të duket edhe më injorant se ç’mendonte bota deri më tani. Përveç se injorant Bolton e përshkruan Trumpin si të paparashikueshëm dhe të korruptuar. Bolton citon ministrin e Jashtëm Mike Pompeo, i cili Trumpin në një shënim në letër e kishte quajtur: “so full of shit”, që në përkthim dashamirës do të mund të interpretohej kështu: Pompeo mendon se shefi i tij është një idiot.

Sipas Bolton presidenti e kishte pyetur nëse Finlanda është pjesë e Rusisë dhe nëse Britania e Madhe është fuqi nukleare. Liderit kinez Shi Xhinpin Trump i kishte ofruar një pazar: nëse Kina blen drithra në Amerikë dhe kështu përkrahë bujqit amerikanë, të cilët do të votonin Trumpin në zgjedhjet e nëntorit, atëherë Trumpi nuk do të protestonte nëse Kina vazhdon ta terrorizojë pakicën e uigurëve dhe të ndërtojë kampe internimi për ta.

Sipas Bolton, Trump është treguar i gatshëm të bllokojë hetimet për t’ua bërë qejfin diktatorëve që i pëlqen. Trump po bën përpjekje për të ndaluar librin e Boltonit, por shtëpia botuese ka njoftuar se libri tashmë është shtypur dhe shpërndarë gjithandej nëpër Amerikë. Detaje nga libri kanë botuar gazetat ameirkane si “New York Times”, “Washington Post” dhe “Wall Street Journal”.

Mes prillit 2018 dhe shtatorit 2019 Bolton ishte këshilltar për siguri nacionale i Trumpit dhe qëndroi afër presidentit kur diskutohej për sjelljen e SHBA-ve ndaj Koresë së Veriut, Kinës, Venezuelës dhe Ukrainës. Sjellja ndaj Ukrainës – Trump akuzohet se i kërkoi qeverisë në Kiev të hetojë Joe Bidenin nëse dëshiron të gëzojë ndihmë ushtarake amerikane – çoi në hapjen e një procedure për shkarkimin e Trumpit. Senati i dominuar nga republikanët e shpalli Trumpin të pafajshëm, një vendim ky i pritshëm.

Donald Trump e akuzoi Boltonin për shkelje të ligjit, i cili, sipas tij, e obligon të ruajë sekretin e bisedave. “Ai ka shkelur ligjin”, i tha Trump moderatorit të tij të pëlqyer Sean Hannity nga televizioni “Fox News”. Ndërsa gazetës “Wall Street Journal” Trump i tha se Bolton është një “gënjeshtar”, të cilin e urrente çdokush në Shtëpinë e Bardhë.

“Washington Post” njofton se Trump me muaj të tërë kishte menduar se çfarë dhurate t’i bëjë diktatorit koreanoverior Kim Jong-Un. Trump e kishte quajtur Kimin “Little Rocket Man”, domethënë: vogëlushi me raketë. Për t’ia bërë me dije Kimit se cilësimi vogëlushi me raketë nuk kishte qëllim fyes, Trump dëshironte t’i dërgonte diktatorit në Penjan një CD të nënshkruar të hitit të Elton Johnit “Rocket Man”.

Nga libri i Bolton rezulton se stil jete i Trumpit është të pengojë punën e drejtësisë. Sipas Boltonit Trump i ka parë si të barasvlershme interesat e tij personale me interesat nacionale. Bolton tregon një detaj nga komunikimet e Trumpit me autokratin turk Rexhep Taip Erdoan: presidenti turk ishte ankuar se drejtësia amerikane po e hetonte një firmë turke për shkak të shkeljes së sanksioneve kundër Iranit. Trump kishte premtuar se do ta rregullojë këtë punë sapo t’i zevendësojë prokurorët e emëruar nga Barack Obama me njerëz të tij.

Bolton është figurë kontraverse. Në establishmentin republikan ai i përket krahut intervencionist. Si këshilltar për siguri nacionale ai i bëri presion Trumpit për të sulmuar Iranin, por presidenti ngurroi dhe e liroi nga detyra Boltonin. Bolton është një kundërshtar i vjetër i pavarësisë së Kosovës dhe ka qenë përkrahës i shkëmbimeve territoriale. Më 24 gusht 2018 këshilltari i atëhershëm për siguri nacionale i Donald Trumpit, John Bolton, në një konferencë për media në Kiev të Ukrainës tha: SHBA nuk e kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. “Mendoj se ka shenja të reja për atë se të dy qeveritë janë të gatshme të negociojnë për këtë. (…) Politika jonë, politika e SHBA-ve është që ne nuk i përjashtojmë korrigjimet territoriale, nëse të dy palët përpilojnë një gjë të tillë mes vete dhe mund të arrijnë një pajtim”.

Nga mesi i dhjetorit 2018 presidenti Donald Trump i dërgoi një letër kryetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Në letrën dërguar presidentit Hashim Thaçi, Trump shkruante se i përshëndet përpjekjet për pajtim me Serbinë dhe apelonte që të shfrytëzohet ky shans i papërsëritshëm. Mosshfrytëzimi i rastit do të ishte tragjik, porosiste Trump. Sepse, shtonte ai, një rast i ri nuk do të vijë shpejt. Trump theksonte se do të ishte i gëzuar t’i priste në Shtëpinë e Bardhë kryetarët e Kosovës dhe Serbisë për të kremtuar “marrëveshjen historike”. Marrëveshja, sipas Trump, është shumë afër për t’u arritur.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme