Një person ka ndërruar jetë derisa pesë të tjerë janë plagosur në një përleshje me armë zjarri që ka ndodhur sot në fshatin Hallaq të Lipjanit.
T7 është duke qëndruar në vend të ngjarjes, derisa, bëhet e ditur se momentalisht rruga ku ka ndodhur përleshja me armë zjarri është e bllokuar.
Gjithashtu, T7 raporton se bëhet fjalë për dy familje që janë fqinj mes vete mes të cilëve ka ndodhur plagosja me armë.
Ngjarja që ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit sipas informacioneve të para ka nisur në një kombi fillimisht si përleshje.
Bëhet e ditur se dy familjet vijnë nga fshati Ribar i Madh.
Detaje për rastin kanë dhënë Policia e Kosovës. Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë për Express se policia e ka marrë informacionin sot rreth orës 07:00.
“Sot rreth orës 07:00, policia ka marrë informacionin për një plagosje me arme zjarri në fshatin Hallaq i madh të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, tha Ahmeti.
“Bazuar në të dhënat fillestare në këtë vend janë plagosur 6 persona, prej tyre një mashkull , shtetas i Republikës se Kosovës, i cili nuk mundur tu përballoj plagëve të mara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, tha Ahmeti.
Forca të shtuara të policisë së Kosovës ndërkaq momentalisht gjenden para emergjencës së QKUK’së, aty ku po trajtohen të plagosurit./GazetaExpress/