Edhe pse mbetet të pritet edhe të miratohet legjislacioni i ri dhe të qartësohen të gjitha detajet dhe kriteret për punësimin e “gastarbajterëve “ ballkanik, megjithatë mund të pritet se në rast se ai do të hyjë në fuqi, atëherë do ta kenë të punësohen në Gjermani punëtorët e ndërtimtarisë, kuzhinierët, kamarierët, apo punëtorët e përkujdesjes për personat e moshuar.

Nga ana tjetër, nga një marsi i këtij viti u rriten gjasat për punë në Gjermani të mjekëve dhe specialistëve të informatikës. Në ndërkohë, rënie e ekonomisë gjermane e shkaktuar nga kriza e pandemisë me korona virusin sidomos ka prekur të huajt. Nga muaji mars deri në muajin maj të këtij viti, numri i të papunëve që nuk posedojnë pasaportë gjermane sipas Agjencisë shtetërore të punës është rritur për 24 për qind apo në 840 mijë persona.

Në ndërkohë është rritur për 19 për qind edhe numri i gjermanëve të papunë në gjithsej 1.964.000 persona. Njëherësh edhe shtatë milion punëtorë po punojnë me orar të shkurtuar.

Me qëllim që të lehtësohet gjendja në tregun e punës koalicioni CDU dhe CSU, preferojnë të ulin ardhjen e punëtorëve të huaj. Thënë ndryshe do të goditet rregullativa për Ballkanin perëndimor që vlen deri në fund të vitit 2020. Sipas saj , nga viti 2016 edhe personave që nuk posedojnë përgatitje të lartë profesionale nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova , Mali i zi Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia ju lejohej të vijnë në Gjermani.

Në këtë mënyrë vetëm në vitin 2019 janë pranuar 27 mijë persona. Tani grupet e punës të dy partive në pushtet në Gjermani janë marrë vesh për një vijë shtrënguese. Zëdhënësi i koalicionit CDU-CSU për politika të brendshme në Bundestag, Mathias Middelberg, ka thënë për gazetën gjermane “Velt am Sonntag”, se ky shtet ka shënuar rënie të madhe ekonomike dhe se tani janë 600 mijë të papunë më shumë sesa para një viti.

“Në një gjendje të tillë, mos ndryshimi i rregullores për Ballkanin perëndimor nuk përbën opsion. Prandaj po bëjmë fushatë për kufizim të qartë të rregullores: dy në vend të pesë vjetëve si deri tani dhe një kuotë vjetore prej më së shumti 15.000 vetash në vjet”, ka thënë ai. Ai shton se në vend të nxisim migrimin e fuqisë punëtorë nga Ballkani perëndimor, tani duhet të përqendrohemi që më shpejt tu gjejmë punë refugjatëve që kanë perspektivë të mbesin në vend.

Ministria e Punës dhe Çështjes Sociale e udhëhequr nga SPD, kumtoi se “Për momentin nuk negociohet për modalitetet e vazhdimit të kësaj rregullative. Por edhe pa përkufizimin, rregullativa mundëson menaxhimin e shpërnguljes sipas nevojave”, thonë nga ky dikaster. Nga ana tjetër, kjo është edhe në vazhdën e legjislacionit sipas të cilit Agjencia Federale e Punës jep leje për punë , vetëm nëse nuk ekzistojnë kërkues të privilegjuar të punës nga Gjermania apo shtetet anëtarë të BE-së.

Të dhënat tregojnë se rënia ekonomike ka goditur sidomos të huajt për shkak se ato punojnë në veprimtaritë më të goditura nga karantina dhe kriza shëndetësore si hoteleria, shërbimet e pastrimit apo sigurisë. Gjithashtu vendet e punës i kanë humbur edhe më shumë persona që nuk posedojnë përgatitje adekuate profesionale në veprimtari për të cilat nuk janë të domosdoshme kualifikime të veçanta ku kanë punuar shumë banorë të shteteve që nuk janë anëtare të BE-së.

Vlerësohet se kriza e koronës do të rrisë edhe hendekun në tregun e punës midis gjermanëve dhe të huajve. Statistikat e fundit për muajin mars tregojnë se 63 për qind e të gjithë gjermanëve të aftë për punë kanë pasur sigurim social, ndërsa të huajt kanë pasur sigurim social me 46 për qind. Nga ana tjetër, nga një marsi i këtij viti, në Gjermani ka hyrë në fuqi Ligji për shpërnguljen e punëtorëve të kualifikuar nga shtetet jashtë BE-së.

Ai zgjeron mundësitë e punësimit për ekspertët e kualifikuar. Kandidatët me arsim të kualifikuar profesional për të cilët në Gjermani është përcaktuar koha e shkollimit prej së paku dy vitesh së bashku me personat me fakultete në rast se posedojnë dituri përkatëse të gjuhën gjermane dhe kanë të siguruar mjetet për qëndrim , mund të vijnë në Gjermani një afat prej gjashtë muajsh për të kërkuar punë.

Njëherësh mundësohet edhe pranimi i diplomave përkatëse për tre muaj pas dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm. Çdo ekspert nga shtetet jashtë BE-së që mund të dëshmojë se posedon kontratë punë në Gjermani dhe kualifikime përkatëse profesionale mund të vijë në Gjermani .Me ligjin e ri nuk përfshihen punët ndihmëse për të cilat nuk nevojiten kualifikime profesionale.

Megjithatë nëse keni kualifikimin bazë profesional dhe mund të tregoni ofertë apo kontratë të punës, mund të ri kualifikoheni për një vend pune. Çdo kush që ka kontratë pune apo ofertë konkrete pune , do të fitojë lejen e qëndrimit për katër vite apo aq sa zgjat marrëveshja e punës. Pas kësaj, ekspertët fitojnë leje qëndrimi të pakufizuar. Legjislacioni ri ka të bëjë edhe me ekspertët më të vjetër se 45 vjet. Nëse dëshironi të vini në Gjermani duhet të keni pagën prej së paku 3.685 euro bruto, apo dëshmi se keni paguar pension përkatës.

Njëherësh për mjekët, specialistët e teknologjisë informatike dhe infermieret që posedojnë së paku pesë vjet përvojë pune, nuk iu nevojitet pranimi formal i kualifikimeve. Mirëpo punëdhënësi është i obliguar që t’i mbulojë harxhimet e jetesës dhe deportimit përgjatë një viti kur do t’iu përfundon marrëdhënia e punës në rast se nuk dëshironi të largoheni nga Gjermania me vullnetin e juaj të lirë./koha.mk/