Një vrasje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bardhahiq të Gjakovës në orët e para të mëngjesit të së martës.
Atje dyshohet se një shtetas i Shqipërisë ka vrarë dhëndrin dhe ka plagosur motrën e nipin e tij, raporton “Zeri.info”.
Rastin për “Zërin” e ka konfirmuar drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta, i cili ka thënë se mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes, ndërsa njëri prej të plagosurve është dërguar për në QKUK pas plagëve të marra.
Graishta ka konfirmuar se rreth orës 07:00 policia në Deçan e ka arrestuar të dyshuarin, i cili është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe ai është ndaluar për 48 orë.
“Aktualisht po vazhdon shqimi i vendit të ngjarjes, rreth orës 07:00 është arrestuar nga Stacioni Policor i Deçanit, me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë, trupi i viktimës është dërguar për në autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet po kryhen nga Njësiti Rajonal i Policisë së Gjakovës”, ka thënë Graishta.
Graishta gjithashtu ka konfirmuar se i dyshuari është mik i viktimës.