Kjo e fundit paralajmëroi se ekzekutivin do ta pres vetëm deri të enjten, dhe se do të propozojë shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky projektligj urgjentisht. E një Ligj për Pandeminë po shihet i domosdoshëm edhe nga njohësit e sistemit të drejtësisë.

Se të enjten Qeveria Hoti pritet të shqyrtojë këtë ligj e tha të hënën edhe zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri.

“Mbledhjen e ardhshme të qeverisë, që besoj që do të mbajmë të enjten do të trajtojmë Ligjin e Pandemisë”, u shpreh ai.

E hezitimin e deritanishëm të Qeverisë Hoti, njohësi i sistemit të drejtësisë, Kushtrim Palushi e cilëson si puro politike.

“Ky hezitim është puro politik. Ata për inate të tyre se kush e ka propozuar ligjin, është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila me një grup të ekspertëve e ka bërë një draft të ligjit dhe hezitimi për të aprovuar këtë ligj dhe hezitimin për të shtyrë përpara është puro politik. Nuk e aprovojnë ose shtyjnë përpara vetëm pse e ka sjell Vjosa Osmani. Në anën tjetër nuk vijnë me një zgjidhje alternative”, thotë ai.

Ndërsa, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj mungesën e një Ligji për Pandeminë e ndërlidh me inatet politike ndërmjet LDK-së karshi propozueses së ligjit dhe kryeparlamentares Vjosa Osmani.

“LDK-ja ka lidhur një inat jashtëzakonisht të madh me kryeparlamentaren, Vjosa Osmani. Duket se vetëm për shkak se ajo ka proceduar me një iniciativë të tillë, ata po hezitojnë të kthejnë në ligj. Ligji mandej do të evidentonte këto parregullsi, paligjshmëri dhe çka është me e rëndësishme për qytetarët e Kosovës që të ofrojë siguri juridike”, thotë ai për KosovaPress.

Gjatë së martës, edhe KMDLNJ u ka bërë thirrje publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake e të cilët përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve, që të votojnë ligjin antiCOVID-19, duke thënë se është momenti i fundit të veprohet në të mirën për qytetarin.

“Po të ishte votuar me kohë ligji antiCOVID-19, sot do ta kishim një bazë ligjore që do ta bënte më efikase luftën kundër pandemisë dhe pasojat do të ishin më të vogla. Për KMDLNJ-në është e pakuptueshme që qeveria po e pret datën e fundit të 11 korrikut në vend se të veprojë me urgjencë dhe në përputhje me situatën e krijuar ku seriozisht po rrezikohet jeta e qytetarëve të Kosovës, me pasoja shumë më të rënda”, thuhej në reagimin e KMDLNJ-së.

Ndryshe, hartimi i ligjit të veçantë për menaxhimin me COVID-19 ishte kërkesë e Gjykatës Kushtetuese, pasi kishte shpallur antikushtetuese masat e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes./kp/