Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të zhvillojë një vizitë dyditore në Francë sot dhe nesër.
Gjatë ditës së parë të vizitës, shefi i shtetit serb do të takohet me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Paris, Vuçiq do të marrë pjesë në një video-konferencë të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel, njoftoi Shërbimi për Bashkëpunim me Media e Presidentit të Serbisë.
Edhe pse ekzistonte një ide që Macron dhe Merkel të sillnin përfaqësuesit e të dyja palëve, Aleksandar Vuçiqin dhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, në të njëjtën tryezë, takimi do të mbahet ende në një mënyrë virtuale, raporton Danas, transmeton Klan Kosova.
“Kjo është një sekuencë logjike e ngjarjeve. Gjithçka që ne bëjmë si BE dhe si shtete anëtare, ne po e bëjmë me qëllim të rifillimit të dialogut,” tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Takimi i 12 korrikut në Bruksel mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë organizohet nga kryediplomati evropian, Josep Borrell, dhe do të kryesohet nga i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, transmeton Klan Kosova.