Kërcënohet femra më e votuar në Kosovë, LDK-ja nuk e mbrojti!

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani vazhdon të jetë një ndër gratë më me zë në skenën politike të vendit.

Kjo pasi është gruaja e parë më e votuar në vend, gjithashtu ejo edhe e drejton Kuvendin, një ndër institucionet më të rëndësishme të vendit.

Por, në seancën e së premtes, ajo u kanos nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj. Për këtë, ajo ka denoncuar këtë të fundit në Policin e Kosovës.

Kurse, Ukaj për mediat vendor është shprehur se ai vetëm i ka tërhequr vetëm zërin Osmanit.

Ndërkaq, ekspertët e kanë dënuar në skenë të tillë e cila ka ndodhur në seancës e së premtes në Kuvend. Po ashtu, i kanë sugjeruar Osmanit që mos të bie pre e provokimeve të tilla. Ndërkaq, sa i përket LDK-së, ata shprehen se është dashur që partia të reagoj.

“Vjosa Osmani është investim politik i LDK-së”

Image

Rexhep Shahu

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka dënuar sjelljet e vrazhda ndaj kryetares së Kuvendit.

“Nuk janë të pëlqyeshme, përkundrazi janë të dënueshme sjelljet e vrazhda ndaj kryetares grua të kuvendit të Kosovës. Edhe pse ajo imponohet të sillet ndonjëherë vrazhdë në mjedis mashkullor, të ktheje përgjigje të vrazhda nga rrethanat”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Shahu ka shtuar se Osmani nuk i bindet vendimit të shumicës, vendimit të partisë dhe për këtë ajo shkarkohet e ndëshkohet politikisht

“Vjosa Osmani është investim politik i LDK, është krijesë politike e LDK dhe kjo parti duhet ta mbrojë Vjosën. Ajo nuk është aty ku është në sajë të aktivitetit të saj si person i vetëm, ajo është aty ku është e suportusar dhe e graduar nga LDK dhe ndaj kjo parti duhet ta mbrojë investimin e vet dhe jo ta gjuajë e fyejë Vjosën. Vjosa nuk i bindet vendimit të shumicës, vendimit të partisë dhe për këtë ajo shkarkohet e ndëshkohet politikisht, por nuk duhet lënduar as kërcënuar nga asnjë deputet, nga asnjë njeri sepse tregojmë qytetari të ulët e jo Civilizim”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

Skena e sulmit ndaj Vjosës ishte e turpshme

Image

Enver Bytyçi

Ndërkaq, profesori Enver Bytyçi  për ”Bota sot”, ngjarjen që ndodhi në Kuvend e quan skenë të turpshme dhe se nuk kishte shkak të bazuar në arsye për një sulm të tillë.

“Një deputet i Lidhjes demokratike, Xhevat Ukaj, sulmoi nga foltorja e parlamentit kryetaren e Kuvendit, zonjën Vjosa Osmane. Skena ishte e turpshme. Sulmi ishte i inskenuar, i qëllimshëm. Nga sa ndoqa aktin, më rezulton se nuk kishte gjithashtu shkak të bazuar në arsye për një sulm të tillë. Unë nuk e njoh zotin Ukaj dhe nuk dua të spekuloj rreth karakterit dhe anëve të forta e të dobëta të tij. Me këtë dua të them se nuk e di pse, si dhe për cilat cilësi ka ardhur në tempullin e demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Profesori ka përmendur disa arsye të cilat kanë mundur të arrijnë deri një akt i tillë, sikur ndodhi në Kuvendin e Kosovës.

“Por arsyetuar nga ndodhia, fenomeni dua të shpreh disa mendime: Akte të tilla e sulme frikacakësh bëjnë zakonisht militantët e partive ose njerëz që lidhen me interesa të ngushta me lidershipin në politikën partiake ose shtetërore. Nëse do investigohej ky akt nga një gazetari profesionale, do të gjente se motivi i sulmit është bindja e verbër ndaj lidershipit të LDK-së, ose ndonjë privilegj i dhënë ose i premtuar nga qeveria në kombinim me partinë. Nuk ka arsye tjetër që të ndodhte kjo. Pse kryetarja e parlamentit i jep fjalën një kundërshtari politik për të folur në seancë plenare, kjo është detyrë e saj dhe logjikisht e ligjërisht askush nuk mund ta pengojë atë në ushtrimin e të drejtës së vet. Madje, edhe nëse kryetarja e parlamentit shkel rregulloren, ndëshkimi vjen me proçedurë dhe jo si akt i vetëgjyqësisë. Xhevat Ukaj ushtroi vetëgjyqësi në emër të Lidhjes Demokratike, sepse atij personalisht nuk iu cenua as politikisht as moralisht nderi dhe e drejta”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai shprehtë se LDK-ja do të duhet të reagonte lidhur me këtë rast për të dënuar veprimin e deputetit Ukaj.

Parlamenti është shkollë e politikës dhe e demokracisë

“Nisur nga sa thashë, duhej që Lidhja Demokratike e Kosovës të kishte reaguar dhe ta kishte dënuar aktin e deputetit të saj. Madje duhej që vetë LDK t’i kërkonte kryesisë së Kuvendit marrjen e masave disiplinore ndaj tij. Por kanë kaluar kaq kohë dhe kjo nuk ka ndodhur. Kjo do të thotë se dikush nga lidershipi i LDK-së është i implikuar në këtë skenë të turpshme. Kjo do të thotë se deputeti Ukaj nuk ka vepruar krye më veti. Por ka patur një urdhër, një udhëzim ose një sinjal, dhe kësisoj ka realizuar me frymëzim aktin në fjalë. Parlamenti është shkollë e politikës dhe e demokracisë. Kush shkon në parlament si deputet duhet të mësohet me rregullat e lojës në këtë shkollë, duhet të edukohet. Por më së pari duhet që partitë politike të edukohen kolektivisht. Që ato të edukohen, duhet që të respektojnë lirinë dhe demokracinë, duhet të njohin principet e tolerancës edhe kur shkelen të drejtat, me qëllim që reagimi të jetë proporcional ose i matur dhe i arsyetuar. Por kjo nuk ndodh në një parti ku nuk ka garë, nuk ka demokraci, ku sundon autokracia. Është e paimagjinueshme që Lidhja Demokratike të shndërrohet në modelin e partisë së Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt!”, ka potencuar ai Bytyçi për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka thënë se Osmani duhet të mësohet me provokime të tilla.

Modeli që përfaqëson Vjosa

“Nga ana tjetër besoj se zonja Osmani duhet të mësohet me provokime të tilla. Ajo është e vetëdijshme jo vetëm për opsionet filozofike e parimore që mbron, por edhe për pengesat që do t’i ketë gjatë rrugës. Duket se për momentin është vetëm dhe Isa Mustafa e Hashim Thaçi le të mendojnë se Vjosa lufton e vetme. Por ajo duhet ta dijë se në Lidhjen Demokratike ka shumë mbështetës, ndoshta në të njëjtën masë sa edhe vetë kryetari i partisë. Sigurisht që ka jo pak prej atyre që e sulmojnë kryetaren e parlamentit me akuza të tilla sikur ajo bën lojën e Albin Kurtit. Kjo pjesë njerëzish në LDK dëshiron që me këtë akuzë ndaj Vjosës të fshehë bashkëpunimin e vet në intriga të përbashkëta me Hashim Thaçin. Ka pastaj mbështetës të flaktë të Vjosës në LDK. E shumica janë indiferentë për arsye të ndryshme. Pjesa gri, pjesa indiferente në LDK është më e madhja dhe ruan momentin. Pjesa gri e një komuniteti politik, ideologjik, religjioz, etj kurrë nuk mbështet të kaluarën. Thjesht pret momentin për t’iu bashkuar modelit të ri, ndryshimit. Këtë ndryshim dhe këtë model e përfaqëson Vjosa më shumë sesa Albini”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, është shprehur se Osmani duhet të jetë e matur, të sillet si liderë, ndërkaq ka përmendur modelin e presidentit historik Ibrahim Rugova se si është përballur me kundërshtarët.

Vjosës i shkon modeli i Rugovës

“Prandaj zonja Osmani duhet të jetë e matur, të sillet si lidere, të mos krijojë përshtypjen se është e ngurtë, e ngushtë dhe hakmarrëse, sepse në fakt nuk është e tillë. Kam parasysh modelin e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Atë e pati sulmuar ashpër dhe me gjuhë fyese të vazhdueshme akademik Rexhep Qosja. Ndërkaq Rugova asnjëherë nuk pranoi të bëjë polemika, aq më pak të përdorë gjuhë të njëjtë kundër Qoses. Edhe kur gazetarët e pyesnin ai thoshte “Ani, ani, demokraci është. Çdo njeri ka mendimet e veta”! Ky model i shkon Vjosa Osmanit në luftën e saj politike, sidomos brenda Lidhjes Demokratike”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se Osmani duhet të jetë gjakftohtë, pasi që veprime sikur ai i Kuvendit munden të përsëriten.

“Ajo duhet të kuptojë se lidershipi i LDK-së bën ç’është e mundur që Vjosa vullnetarisht të largohet prej kësaj partie, sepse ky lidership nuk ka dhimbje as për Kosovën, as për partinë. Thjesht ruan e mbron interesat e klanit, të shndërruar në një lloj sekti si PRONTO i Hashimit! Vjosa i ndihmon këta nëse acarohet e shkon deri te largimi nga LDK. Ajo duhet të jetë gjakftohtë, të sillet sikur nuk ndodh asgjë, duke qëndruar njëkohësisht e vendosur, këmbëngulëse dhe e pakompromis në parimet e veta! Provokime si ai i të premtes do të ketë përsëri! Rëndësi ka ta menaxhojë çdo situatë në mënyrën më të mirë të mundshme!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme