Me krizën e koronavirusit që ka mbërthyer gjithë globin dhe ka pezulluar planet e udhëtimeve për shumëkënd, turizmi i brendshëm mbetet shpresa e vetme për të rimëkëmbur sektorin. Të gjitha shtetet po shpresojnë se udhëtimet e brendshme mund të kompensojnë një pjesë të humbjes.
Por, në Shqipëri, banorët e saj rezultojnë që kanë pamundësinë më të madhe për të përballuar një javë pushime jashtë shtëpisë në Europë, sipas të dhënave krahasuese nga barometri i Ballkanit, publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (për shtetet e rajonit) dhe Eurostat (për vendet e BE-së).
Pyetjes “A jeni përballur me paaftësi për të përballuar të paktën një javë pushime larg nga shtëpia (nëse doni) gjatë 12 muajve të kaluar”, rreth 64% e shqiptarëve i janë përgjigjur Po, që sërish është përqindja më e lartë në rajon. Në përgjithësi, për këtë pyetje, të gjithë vendet e rajonit kanë shprehur pamundësinë për të bërë pushime, ku pas Shqipërisë renditet Mali i Zi (48%), Maqedonia e Veriut (46%), Serbia (40%), Bosnjë-Hercegovina (35%). Në rajon, më lehtë i përballojnë pushimet shtetasit nga Kosova, me vetëm 28% të totalit, që pohojnë që nuk bëjnë dot pushime. Kosova ka si destinacion kryesor për të kaluar pushime Shqipërinë.
Midis shteteve anëtare të BE-së, Rumania kishte peshën më të lartë, me shumicën e rumunëve (54%) të paaftë për të përballuar një pushim vjetor prej një jave në vitin 2019. Banorët e Greqisë ishin të dytët, me 49% që nuk ishin në gjendje për të përballuar një pushim një javor larg shtëpisë, e ndjekur nga Kroacia (48%), Qipro (45%) dhe Italia (44%).
Në të kundërt, në fundin e ulët të shkallës, vetëm 10% e njerëzve në Suedi nuk ishin në gjendje të përballonin një pushim vjetor një javë, e ndjekur nga Danimarka dhe Luksemburgu (të dy 11%), Finlanda (12%), Gjermania dhe Austria (të dy 13%)./Monitor
© SYRI.net