Emigrantët vazhdimisht tentojnë ta kalojnë kufirin grek drejt Maqedonisë së Veriut në rajonin e Idomenit. Ata në orët e natës, në grupe, tentojnë të ngjiten në trena si udhëtarë të verbër apo ta depërtojnë rrethojën përgjatë kufirit, kumtoi portali “Infomigrants”.
“Ata kërcejnë në trena edhe përkundër rrezikut për t’i goditur rryma gjatë prekjes në kabllot me tension të lartë”, thotë për portalin makinisti, i cili kohë më parë zbuloi një grup të emigrantëve në trenin e tij.
Megjithatë, nga ata që do të arrijnë ta kalojnë kufirin, më shpesh janë hasur nga patrullat policore në vend, të cilat më pas i kthejnë mbrapsht në Greqi.
“I tillë është rasti me emigrantin pakistanez Musa, i cili arriti të kalojë në Maqedoninë e Veriut përmes vrimës në rrethojën kufitare. Por, u kap. Ai thotë se së pari ishte ‘rrahur nga policia në Maqedoni të Veriut, e më pas edhe nga grekët’ kur ishte kthyer përmes kufirit”, thekson Infomigrants.
Portali e cekë edhe shembullin e sirianit 20-vjeçar, Abdulla, i cili disa ditë është fshehur në një ndërtesë në afërsi të stacionit hekurudhor në Idomeni, duke e pritur “momentin e vërtetë” për ta kaluar kufirin dhe përmes të ashtuquajturës rutë ballkanike të niset drejt Evropës Perëndimore. “Do të bëj gjithçka, që ta kaloj kufirin”, thotë Abdulla.
Sipas portalit, ai nuk është rasti i vetëm, sepse familje të tëra të emigrantëve po qëndrojnë përgjatë binarëve apo në vagonët e braktisur në afërsi të stacionit hekurudhor në Idomeni, ndërkaq sapo të paraqiten patrullat e policisë greke, ata shpërndahen nëpër fushat përreth.
“Fshati i vogël grek Idomeni shtrihet në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë së veriut. Në vitin 2015 qindra mijë emigrantë dhe refugjatë kaluan përmes këtij rajoni, duke ecur në këmbë drejt Evropës. Që të parandalohet vala e madhe e emigrantëve në Evropës, BE-ja dhe Turqia në mars të vitit 2016 arritën marrëveshje, me të cilën vendet e Unionit i mbyllën kufijtë e vet për refugjatët, ndërsa Greqia ndërtoi rrethojë përgjatë kufirit të saj verior”, shton portali.
“Infomigrants” përkujton se në vitin 2015 Idomeni ishte pika kryesore për valë të refugjatëve të cilët nga Greqia dëshironin të largohen drejt Evropës perëndimore.
“Në atë kohë kishte kamp të improvizuar me mbi 13.000 njerëz, derisa kampi nuk u evakuua nga autoritetet në maj të vitit 2016. Emigrantët dhe refugjatët u vendosën me dhunë në strehimore alternative në mbarë Greqinë, ndërsa tendat u mënjanuan me buldozerë”, thekson portali.
Por, sipas “Infomigrants”, tani Idomeni sërish po bëhet kanal kryesor për emigrantët dhe refugjatët.
Banori lokal Lazaros Olis thotë se në Idomeni çdo ditë arrijnë nga rreth 200 njerëz.
“Disa vendosën tenda edhe në fusha. Frikësohemi se Idomeni sërish do të shndërrohet në kamp”, deklaroi Olis./MIA/