Taravari: Protestat nisin të hënën – BDI nuk e ka legjitimitetin e shqiptarëve (VIDEO)
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka paralajmëruar nisjen e protestave kundër parregullësive zgjedhore. Ai ka njoftuar se protestat me moton “Zgjedhje PO, vjedhje JO”, do të nisin të hënën në ora 18:00 nga parku i Çairit në Shkup dhe do të organizohen nga koalicioni Aleanca-Alternativa.
“Protestat vendosëm t’i nisim ditën e hënë në ora 18:00 në parkun e Çairit dhe prej aty do të jetë një marsh protestues deri në zyrat e Bashkësisë Evropiane dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor. E gjithë protesta do të jetë e organizuar duke ju përmbajtur të gjitha rregullave të pandemisë. Natyrisht kur mungon drejtësia në institucione, qytetarët nuk kanë mënyrë tjetër për ta shprehur revoltën e tyre përveç që të dalin rrugëve. Dhe, kjo nuk është prej tani, kjo është reciklim i një problemi zgjedhor që përsëritet në të gjitha ciklet zgjedhore. Pra, ngelin vetëm disa shqetësime që i shpreh OSBE-ODIHR, disa parregullësi që i regjistron MBP-ja dhe me kaq mbaron çdo cikël zgjedhor dhe askush nuk dënohet për ato keqpërdorime. Vota është e shenjtë dhe t’i mundohesh me fushatë të tubosh 82 mijë vota pa presione, pa shtypje, duke bërë një skuadër me njerëz që premtojnë një qeverisje shumë më ndryshe dhe vijnë bandat e ndryshme peng i të cilave jemi gjithë shoqëria, ditën e zgjedhjeve paguhen, i mbushin kutitë, i frikësojnë njerëzit, i shantazhojnë njerëzit dhe në fund del një rezultat që është i papritur për askënd. Më e keqja është se në katër vitet e ardhshme jemi peng i atyre bandave, që bëjnë zhvatje, shesin narkotikë dhe që i bëjnë problem qytetarëve katër vitet e ardhshme. Dhe ato banda që i kanë mbushur votat për BDI-në, do të jenë të mbrojtur. Për neve, Aleancën dhe Alternativën kjo parti nuk ka legjitimitet dhe patjetër t’i themi stop dhe të ndalet terrori zgjedhor që bëhet prej BDI-së në këto 18 vite”, tha Taravari për gazetën LAJM.
Ai, shtoi se të gjitha aktivitetet janë të bashkërenduara me Alternativën. “Ne me Alternativën jemi në bashkëpunim fantastik dhe veprojmë sikur me qenë një parti e përbashkët”, tha Taravari.
I pyetur nëse ka nisur kontaktet me partitë tjera, Taravari tha se komunikim ka, por akoma jo për formimin e qeverisë. “Për mua rezultati i BDI-së nuk është legjitim. Në fund të fundit, BESA, Alternativa dhe Aleanca kanë 16 deputetë, një më shumë se BDI-ja dhe nuk e shoh se ata janë përfaqësues legjitim të shqiptarëve. Çdo kombinim i mundëshëm ku Aleanca dhe Alternativa mund të ndihmojnë për tu krijuar një shumicë prej 61 votash, pa BDI-në ne do të jemi aty”, u shpreh Taravari për gazetën LAJM.
Prononcimin e tij të plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.