Deklarata e protestës: BDI nuk është fituesi i zgjedhjeve por grabitësi i vullnetit politik shqiptarë

Protestuesit kanë arritur para selisë së BE-së, ndërsa u lexua edhe Deklarata e marshit protestues.

Jemi sonte këtu para Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian në Shkup që, në përmbyllje të këtij marshi dhe në frymë të vlerave që i promovon BE-ja, ta përcjellim qëndrimin e partive që e kanë organizuar këtë marsh – Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Ne gjykojmë se zgjedhjet që sapo kanë përfunduar kanë dëshmuar edhe një herë se demokracia te shqiptarët është një nocion pa përmbajtje, sepse fjala zgjedhje në kampin politik shqiptar është bërë e barasvlershme me fjalën vjedhje. Manipulimi i vullnetit të votuesit shqiptar, që ndodhë tashmë në disa cikle zgjedhore e që brutalisht doli në pah veçmas në zgjedhjet e fundit, për ne është alarm se nëse nuk reagojmë sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Në të vërtetë, ne si parti edhe mund të tërhiqemi nga kjo garë pabarabartë dhe jo e drejtë për ne, por druajmë se votuesit shqiptarë do të rrëshqasin drejt diktaturës dhe në plan afatgjatë mund të ketë implikime të padëshirueshme dhe të paparashikueshme jo vetëm për shqiptarët, të cilët sot janë viktima të kapjes së shtetit.

Prandaj ne jemi sonte këtu për të deklaruar me sa vijon:

Zgjedhjet e organizuara më 15 korrik 2020 për koalicionin Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA janë zgjedhjet më jodemokratike që kurdoherë janë organizuar në vendin tonë. Blerja e votës, zhvatja e votuesve, korruptimi dhe kërcënimi i komisionarëve, uzurpimi i lirisë së zgjedhjes, votimi për njerëz që nuk janë vendin tonë, abuzimi në procesverbale dhe manipulimet e tjera me të drejtën e votës janë për ne sinjale se shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut është kapur peng nga një kastë mafiozësh, që shtiren si parti politike e që nuk merren më me oferta zgjedhore, porse janë të prirë vetëm për mjete jolegjitime që kanë për synim grabitjen e vullnetit të lirë të qytetarëve.
Mënyra e këtillë e organizimit të zgjedhjeve përveç që i vë njollë të zezë demokracisë në vendin tonë, shkakton edhe dekurajim te qytetarët shqiptarë për të marrë pjesë në zgjedhje kur tashmë dihet rezultati zgjedhor dhe, aq më tepër, kjo e vret demokracinë, duke na kthyer në një monizëm, diktaturë ose, më saktë, demokraturë, që si përfundim mund të ketë pakënaqësi të akumuluar që mund të shpërthejë në trajta të paimagjinueshme.
Kjo edhe është arsyeja që sonte jemi këtu për të deklaruar se për ne Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është fituesi i këtyre zgjedhjeve, por është grabitësi i vullnetit politik shqiptar dhe, rrjedhimisht, ai mund ta ketë legalitetin që ia njeh i a.q. Komision Shtetëror i Zgjedhjeve, por kurrë nuk do ta ketë legjitimitetin e përfaqësimit të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Duke u nisur nga kjo ne kërkojmë nga vendet e Bashkimit Europian që:

Të dënohet abuzimi me të drejtën e votës në vendin tonë dhe mos të njihet legjitimiteti i BDI-së si përfaqësuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut;
Me ndihmën e BE-së të fillojë procesi i reformimit rrënjësor të Kodit Zgjedhor, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë shembull i mirë se vendi ynë i ka përmbushur standardet europiane për zgjedhje të drejta dhe demokratike.
Beteja jonë për demokraci do të vazhdojë edhe më tej dhe ajo nuk do të ndalet deri në arritjen e demokracisë së plotë edhe në kampin politik shqiptar. Ne tashmë i kemi 12 deputetë që, pavarësisht a do të jenë pjesë e shumicës a jo, ata do të jenë zëri i shqiptarit për demokraci dhe ne nuk do të lejojmë që asgjë tjetër ta zëvendësojë demokracinë në vendin tonë. Nëse ne jemi shtet që synon integrimin evropian, liria dhe demokracia duhet të jenë kryefjala e këtij integrimi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme