Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialog, Skender Hyseni do të takohet sot në Bruksel me drejtorin e të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Takimi do të ndërmjetësohet nga emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, po cilësohet si “dialog” në nivel ekspertësh, teksa kjo e sotmja është përballja e dytë e Hysenit me Gjuriqin në pak ditë, shkruan lajmi.net.
“Si rregull, ne nuk i komentojmë spekulimet e medieve. Por, në këtë rast specifik do të donim të hidhnim poshtë spekulimet rreth raundit të nesër të bisedimeve të ekspertëve dhe agjendës së saj. Dialogu – pas rifillimit të tij në nivelin më të lartë në fillim të këtij muaji – vazhdon me një seri takimesh në nivelin e ekspertëve që janë pjesë e një procesi në vazhdim”, thuhet më përgjigjen e BE-së për lajmi.net.
Një qartësim i tillë nga BE hedh poshtë spekulimet e mediave serbe se në takimin e sotëm Prishtinës dhe Beogradit do t’i paraqitet apo propozohet një projekt-marrëveshje gjithëpërfshirëse, që përfshinë edhe njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia.
Para nisjes për në Bruksel, koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni është takuar me nënkryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj, si dhe me kreun e Nismës, Fatmir Limaj.
Në të dy këto takime, Hyseni ka nënvizuar rëndësinë jetike që ka bashkërendimi i forcave politike në Kosovë në procesin e dialogut, që sipas tij është në interes nacional.
Hyseni para tri dite është takuar edhe me kryeministrin Hoti, të cilin e ka njoftuar për takimin e parë në Bruksel nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak.
Për takimin ka folur edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se Beogradi nuk e ka informacione që një projekt-marrëveshje gjithëpërfshirëse do t’u dorëzohet delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, në Bruksel, të enjten.
Ministri i Jashtëm shton se është i bindur që nëse ka një propozim të tillë, Presidenti Aleksandar Vuçiq do të përgjigjet në përputhje me shtetin dhe interesin kombëtar.
Daçiq i tha RTS-së, se është shumë e çuditshme të flasim për një projekt-marrëveshje tani, sepse Vuçiqi nuk do të shkojë në Bruksel të enjten, dhe shton se një dokument i tillë do të shërbente si presion shtesë mbi Presidentin e Serbisë.
“Paraqitja e këtij dokumenti tani në këtë fazë të dialogut do të ishte një surprizë, veçanërisht sepse nuk u njoftua se do të ndodhte, por asgjë nuk është e pamundur. Do të ishte e çuditshme që ata po e bëjnë atë tani, kur Vuçiq nuk është i pranishëm atje, ata njoftuan se dialogu do të vazhdojë në shtator”, tha Daçiq.
Nga ana tjetër, akterë të rëndësishëm politik në Kosovë, përfshirë edhe presidentin Thaçi kanë hedhur vërejtjet e tyre se dialogu me Serbinë assesi nuk guxon të rrëshqasë në nivelin teknik.
Sipas tyre, nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë kjo do të ishte kthim prapa për Kosovën, dhe do t’i hapte rrugë diskutimit për çështjen e statusit të Kosovës, temë kjo e përfunduar më 17 shkurt 2008.
Procesi i dialogut me Serbinë ndërkaq ka shkaktuar përçarje edhe brenda koalicionit qeverisës, teksa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj po e akuzon kryeministrin Hoti se nuk po është transparent dhe po tregohet shpërfillës në raport me partinë e tij.