Seanca e fundit/ Parlamenti ndryshon rregullat e lojës pa dakordësinë e PD-LSI. Nga marrëveshja e 5 qershorit, te 30 korriku…

MARIGLEN KUME

 

 Parlamenti Shqiptar çon sot deri në fund nismën për ndryshimet kushtetuese për të prekur rregullat e garës në zgjedhjet e ardhshme.

Amendimi i nenit 64 dhe 68 të Kushtetutës krijon mundësinë e hapjes së listave, heq nga Kushtetuta koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, si dhe vendos prag kombëtar. Por si arritëm në këtë pikë?!

28 DEPUTETËT

Pa arritjes së marrëveshjes së 5 qershorit me praninë edhe të ambasadorëve kryesorë në Shqipëri për amendimin e Kodit Zgjedhor, në Parlament në ditët në vijim nisën lëvizjet kërcënuese se nuk do të votonin ndryshimet e miratuara në Këshillin Politik pa plotësuar kërkesat e tyre. Në fillim ishin 39 deputetë të opozitës në Parlament që kërkonin lista të hapura.

Pas insistimit, ata mundësuan një takim me Kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi dhe ky i fundit u kërkoi që çdo kërkesë ta paraqesin sipas procedurave parlamentare. Më pas një grup prej 29 deputetësh, me në krye Myslim Murrizin, depozituan në Parlament një draft i cili propozonte riformulimin e nenit 64 dhe 68 të Kushtetutës bashkë me relacionin përkatës.

Ajo që ra në sy në fillim, pavarësisht se kishin firmosur draftin, Myslim Murrizi pohonte se ai si përfaqësues kishte kërkuar vetëm hapjen e listës dhe nuk kishte kërkuar heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosjen e pragut kombëtar.

Dy pikat e fundit konfuzuan opozitën e Parlamentit, saqë disa prej tyre të tërhiqnin firmat. Por pas kësaj lëvizjeje për të plotësuar numrin e 28 deputetëve (aq sa duhet për të propozuar ndryshime kushtetuese) listës së firmave iu bashkua deputetja Elena Xhina dhe Reme Lala. Të dyja deputete të ardhura nga listat e PDIU-së dhe në të njëjtën linjë votimi të ligjeve në Parlament me maxhorancën.

QËNDRIMI I MAXHORANCËS

Propozimi për ndryshimet kushtetuese u kundërshtua që në krye të herës nga opozita politike. Përmes disa deklaratave publike, PD-LSI dhe aleatët akuzuan Kryeministrin Rama se qëndron ai pas kërkesës së 28 deputetëve të Parlamentit, të cilët ndonëse aspirojnë të krijojnë një parti të re, bëjnë propozime të cilat disfavorizojnë partitë e vogla dhe të reja. Në atë kohë Kryeministri Rama argumentoi se ishte i detyruar që të dëgjonte opozitën parlamentare, pasi ata kishin kushtëzuar votën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të cilat duheshin 84 vota, ndërkohë që PS-ja kishte vetëm 75 mandate. Por pasi ky argument ra, sepse në Parlament disa prej deputetëve të opozitës parlamentare deklaruan publikisht votën pro marrëveshjes së 5 qershorit, maxhoranca doli me tezën se, sipas sondazheve, rreth 90% e qytetarëve duan lista të hapura.

Ndërkohë, Këshilli i Legjislacionit gjatë shqyrtimit të amendamenteve kushtetuese bëri disa ndryshime në fasadën e propozimeve. Në nenin 64, ku 28 deputetët e thoshin qartë se amendimi synon heqjen e koalicioneve, relatorët e PS-së thanë se e kanë hequr atë togfjalësh pasi krijon konotacion negativ. Ndërkohë, në Kushtetutë u hoq mundësia që koalicionet parazgjedhore të ekzistojnë si subjekte zgjedhore dhe të propozojnë deputetë. Pas shumë orësh diskutime, në Këshillin Politik palët nuk arritën të gjenin konsensus dhe sot Parlamenti, para se të shkojë me pushimet e verës, voton ndryshimin e rregullave të lojës.

 

 

 

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme