Situata e zjarreve vijon të bëhet alarmante. Në shumë zona të vendit jan shfaqur vatra të zjarrit, të cilat përveç dëmeve që shkaktojnë në pyje apo kullota, rrezikojnë shpeshherë shtëpitë e banorëve apo ndërtimet turistike në ato zona ku përhapja ështe më e madhe.
Ndërkohë nuk duket akoma ndërhyrja e shtetit për të ndihmuar banorët në shuarjen e flakëve. Vetëm në disa zona zjarrfikësit dhe policia kanë ndihmuar banorët që të shuajnë zjarret.
Mjetet e rënda të ushtrisë apo thirrja e helikopterëve për të ndihmuar në shuarjen e flakëve mbeten vetëm një kujtim i disa viteve më parë për shqiptarët. Ndërkohë që zjarret shtohen, të kundërtën bën qeveria: në vend të shtojë angazhimin, ajo duket se strukturat i ka nisur me pushime në plazhe.
Në Velipojë
Vijojnë ende të jenë aktive vatrat e zjarrit në malin Maja e Zezë në Velipojë. Akoma nuk ka asnjë ndërhyrje nga zjarrfikësit apo nga ajri. Ka mbi 3 ditë që zjarri është aktiv dhe rrezikon banesat dhe bizneset, pasi favorizohet edhe nga era që të përhapet me shpejtësi.
Ndërkohë shteti ka shkuar me pushime pasi akoma nuk asnjë informacion për ndërhyrje nga toka apo nga ajri për të shuar zjarrin në këtë zonë turistike.
Në Rubik
Një vatër tjetër zjarri dhe ku shteti as nuk ka ndërhyrë por as nuk e ka ndermend ta bëjë një gjë të tillë është në zonën e Katundit të Vjetër, pjesë e 100 fshatrave turistikë në njësinë administrative Rubik në Mirditë.
Sipas informacione nga korrespondenti i syri.net, ka prej disa ditësh që është riaktivizuar zjarri. Sipas informacioneve te fundit zjarri rrezikon banesa dhe biznese në atë zonë.
Në Gramsh
Vijojnë të jetë aktive vatra e zjarrit në malin e Koshnicës në Gramsh. Zjarri ndodhet pranë fshatit Siman të Gramshit, i cili u shfaq qysh një ditë më parë. Nga flakët janë shkrumbuar pisha dhe një numër i madh pemësh.
Terreni i vështirë malor ka pamundësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, ndërsa punonjësit e saj kanë ndërhyrë për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit me mjete rrethanore. Zjarri është ende i pranishëm ndërsa drejtues të zjarrfikëses nuk dinë të thonë me siguri sa është sipërfaqja e djegur, por pohojnë se është e konsiderueshme.
Në Gjirokastër
Edhe në pyjet mes fshatrave Lekël dhe Hormovë në Tepelenë mbrëmjen e 2 gushtit ka patur një zjarr të madh.
Zjarrfikësit kanë punuar gjithë natën fillimisht për izolimin e flakëve, të cilat nëse nuk ndërhyhej, mund të rrezikonin edhe banesat e fshatit Hormovë. Kjo pasi era po bënte që zjarri të avanconte. Flakët u arritën të shuhen në mëngjes ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe autorët e mundshëm.
Fier
Një vatër zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pyll me pisha në Seman në vendin e quajtur Godull.
Terreni i vështirë për shkak se aty ndodhen dhe shkurre dhe ferra të mëdha që rrezikojnë përfshirjen nga zjarri të Kurorës së Pishave në Seman.
Kjo është vatra e dytë në këtë zonë brenda 3 ditëve.
Zjarri po favorizohet edhe nga era.
Zjarri vazhdon por zjarrefikësit po punojnë për të neutralizuar flakët. /Syri,net/
© SYRI.net