Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka njoftuar detajet në lidhje me mbajtjen e Seancës Konstitutive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, që është caktuar për sot 4 gusht 2020 në ora 12, a me qëllim të respektimit të plotë të protokolleve të sigurisë të përcaktuar nga Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse.
Për përfaqësuesit e mediumeve hyrja në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mundësohet prej ora 11.
Seanca Konstitutive është caktuar në ora 12, kështu që do të ketë kohë të mjaftueshme në atë periudhë të respektohen të gjitha protokollet e domosdoshme, në raport me kontrollin dhe evidencën.
“Ju rikujtojmë se për të evituar grupimin më të madh, Seancën Konstitutive do të mund të përcjellin vetëm dy përfaqësues nga çdo medium, respektivisht vetëm ato që në afatin e përcaktuar u paraqitën në Seksionin e Marrëdhënieve me Publikun të Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesit e mediumeve, si edhe deri tani, hyjnë në hyrjen ku është Zyra e Pranimit dhe me vete duhet të bartin dokument për identifikimin personal, ndërkaq transmetimin e seancës do të mund të përcjellin në sallat 3 dhe 4 në Pres Qendrën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Për arsye se prezenca në Sallën e Madhe, ku do të mbahet Seanca Konstitutive do të jetë e kufizuar, inserte dhe fotografi do të mund të bëjnë vetëm një kamerë nga RTVM dhe fotografë zyrtarë të angazhuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Pas përfundimit të seancës, deklarata do të mund të jepen në Sallën e Kristaltë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku për këtë qëllim do të sigurohen kushte përkatëse teknike dhe distancë fizike përkatëse”, thuhet më tej në njoftim.
Në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të punojnë Klubi i Deputetëve, restoranti dhe bufeja që gjendet në Pres Qendër dhe në hapësirën për parkim rreth ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, parkimi do të lejohet vetëm për deputetët dhe për mysafirët zyrtarë./TV21