Dy persona raportohet të kenë humbur jetën, ndërsa dyshohet edhe për një të tretë, për shkak të motit të keq në Himarë, raporton A2cnn.
Era e fortë dhe reshjet e shiut kanë krijuar një situatë të vështirë në qytetin e Himarës. Pushuesit e shumtë kanë boshatisur plazhet, pasi era e fortë me shpejtësi deri në 80 kilometra në orë, shoqëruar me reshje, ka shkulur edhe çadrat e plazheve. Edhe deti është mjaft i dallgëzuar. Kapitaneria e Vlorës ka njoftuar bllokimin e daljes në det të mjeteve të vogla lundruese.
Ndërkohë, reshjet e shiut kanë prekur thuajse të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë. Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Velipoja gjithashtu janë zgjuar nën pushtetin e shiut. Ndërkohë reshjet kanë prekur edhe zonën e Kukësit, kanë krijuar probleme kryesisht në qarkullimin e mjeteve. Situata me reshje ka ndihmuar veçanërisht zonat ku prej disa ditësh ishin aktive vatrat e zjarreve, duke i shuar ato.