REXHEP SELIMI: QEVERIA KURTI ISHTE NJË HAP I MIRË DREJT BASHKIMIT KOMBËTAR

Këtë javë i ftuar në emisionin “Pa maskë” ishte ish gjenerali i UÇK-së, tani udhëheqës i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në këtë emision, Selimi ka shpalosur edhe një pjesë të rrëfimit të tij nga e kaluara, monbilizimin për të themeluar UÇK-në, por ka folur edhe për pasionin e tij për artin. Ai ka deklaruar se “Familja Jashari” ishte shembulli më i mirë për të motivuar rininë që të bashkëngjitej në UÇK, ndërsa rënia heroike e Adem Jasharit sjelli edhe mobilizimin më të madh të UÇK-së në luftë. Sipas tij, UÇK-ja do të mbetet një shembull unik me kauzë origjinale, ndërsa është shprehur se ende nuk është jetësuar ideali i dëshmorëve që ishte edhe e drejta për bashkimin kombëtar, njofton 24-ore.info

“Mbi të gjitha, ideali i tyre ka qenë liria. Bashkë me lirinë vijnë edhe të drejtat tona qytetare të cilat nuk i kemi. Për lirinë edhe mund të flasim a e kemi apo nuk e kemi, por të drejtat tjera kombëtare nuk i kemi. E, një ndër ato që nuk e kemi jetësuar ende, idealin e dëshmorëve është edhe vetë e drejta për t’u bashkuar, e drejta e bashkimit kombëtar. Kështu që bashkë me lirinë vjen edhe e drejta për vetëvendosje. E drejta për vetëvendosje sjell edhe atë që një komb i ndarë padrejtësisht, ka të drejtën e natyrshme të jetë i bashkuar. Ose, askush nuk ka të drejtë ta ndajë dhunshëm”, ka thënë Rexhep Selimi në emisionin “Pa maskë”.

Ai ka mohuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk po merret më me kauzën e bashkimit kombëtar.

“Ka shumë gjëra që thuhen nga një pozicion dhe që veprohet kur të vish në poziconin e duhur. Ndoshta ne kemi folur më shumë për luftën para luftës sesa kur e kemi filluar luftën. Sepse kur fillon luftën nuk ke se çfarë të flasësh për të, futesh në betejë. Dhe mendoj se Qeveria Kurti ka qenë hap i mirë drejt bashkimit kombëtar dhe do të jetë në të ardhmen hap i mirë drejt bashkimit kombëtar”, ka deklaruar Selimi. Sipas tij, bashkimi kombëtar përtej dëshirës dhe ndjenjes është edhe interes dhe se kjo përmbushet me një qeverisje të mirë.

Ai ka kundërshtuar zërat se bashkimit kombëtar do të sjellte bashkimin e problemeve të të dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ata që kombin e shohin si problem, bashkimin kombëtar mund ta shohin si bashkim i problemeve. Kombi nuk është problem. Ata që e shohin bashkimin si moszhvillim, atëherë hajde le të ndahemi edhe këta që kemi ngelë, pra. Po të jetë ndarja zhvillim do të ndahej Gjermania sot me të gjitha ato “lande” që i ka. Ose Zvicra me gjithë ato kantone që i ka. Pra, ndarja nuk është avancim, nuk është zhvillim. Ndarja nga trungu, jo. Ndarja nga e huaja mund të jetë zhvillim. Dhe ne e kemi bërë këtë parën, jemi ndarë nga i huaji, jemi ndarë nga Serbia, jemi ndarë nga ata që nuk iu përkasim, por kjo nuk do të duhej të shihej njëjtë me ata që i përkasin njëri – tjetrit”, ka deklaruar Selmi duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria janë një tërësi e ndarë në dysh./24-ore.info

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme