Shpërthimi në Bejrut/ “Ikni, jeni të gjithë vrasës”- Libani ndizet nga protestat, mbi 5 mijë njerëz në rrugë kundër qeverisë

Në kryeqytetin e Libanit, policia përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve që u përpoqën të kalojnë një barrierë për të arritur në ndërtesën e parlamentit, ndërkohë që numri i të vdekurve nga shpërthimi së martës në portin e Bejrutit arriti në 158.

Rreth 5,000 njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër mënyrës se si qeveria po e trajton shpërthimin shkatërrimtar.

 

37d08bf4-2a98-4056-8e6b-f8d7c23427fa_w1023_r1_s

Njerëzit u mblodhën në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të Bejrutit, disa prej tyre duke hedhur gurë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës, kur disa protestues u përpoqën të kalojnë barrierën në një rrugë që të çonte drejt parlamentit.

Protestuesit thërrisnin “Populli kërkon rënien e regjimit,” dhe mbanin pankarta me fjalët “Ikni, jeni të gjithë vrasës”.

“Duam një të ardhme me dinjitet, nuk duam që gjaku i viktimave të shpërthimit të shkojë kot”, tha protestuesja Rose Sirour.

Shpërthimi i së martës në port, më i madhi në historinë e Bejrutit, solli shkatërrime të mëdha në qytet. Qeveria ka premtuar se do të gjejë shkaktarët dhe do t’i verë përpara përgjegjësisë.

Disa banorë, që përpiqeshin të vinin rregull në apartamentet e dëmtuara rëndë nga shpërthimi, denoncuan qeverinë, të cilën e shohin si të korruptuar, duke thënë se ajo përsëri i la në baltë.

“Nuk kemi besim te qeveria jonë,” tha studentja Celine Dibo teksa pastronte gjak nga muret e apartamentit të saj. “Uroj që Kombet e Bashkuara ta marrin nën administrim Libanin.”

Disa njerëz thanë se nuk ishin aspak të befasuar që Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi këtë javë lagjet e tyre, ndërsa udhëheqësit libanezë nuk e bënë këtë.

“Ne po jetojmë në nivelin zero. Shpresoj se një vend tjetër do të donte të na merrte nën administrim. Udhëheqësit tanë janë një bandë njerëzish të korruptuar,” tha psikologia Maryse Hayek, shtëpia e prindërve të së cilës ishte shkatërruar nga shpërthimi.

Partia Kataeb e Libanit, një grup i krishterë që kundërshton qeverinë e mbështetur nga Hezbollahu i lidhur me Iranin, njoftoi të shtunën dorëheqjen e tre ligjvënësve të saj nga parlamenti.

“I ftoj të gjithë ligjvënësit të japin dorëheqjen në mënyrë që njerëzit të mund të vendosin se kush do t’i qeverisë, pa asnjë imponim,” tha kreu i partisë Samy Gemayel, duke e njoftuar vendimin gjatë funeralit të një anëtari drejtues të partisë, i cili vdiq në shpërthim./ VOA

 

 

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme