Kreu AAK-së në Kosovë Ramush Haradinaj ka paralajmëruar Isa Mustafën, se nëse ai nuk do ta mbështesë si kandidat për president do të bjerë qeveria.
‘Aleanca është para dy zgjidhjeve, të dyja shumë të vështira. E para është që të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës të presidentit edhe ajo është logjika pse Këshilli Drejtues i AAK-së më ka dhënë autorizim të negociojë edhe për çështjen e presidentit, me qëllim që ne të mos përjashtohemi nga tavolina e marrjes së vendimeve.
Pra, ne nuk rrisim pushtet me marrjen e presidentit, por ne vetëm ruajmë mundësinë e të qenurit në tavolinë aty ku merren vendimet’, ka deklaruar ai.
Ish –kryeministri I AAK ka kërkuar që të mirëkuptohet edhe nga PDK dhe ta mbështesë në nismën që ka ndërmarrë.
‘Unë jam në pozitë me të vështirë me PDK-në, sepse presidenti dikur ishte në PDK. Mirëpo, unë mendoj edhe për PDK-në, shpresoj se do ta kem mirëkuptimin edhe nga ata, sepse në këto situata të ndjeshme, nëse Aleanca duhet të jetë partner, duhet t’i jepet mundësia të ketë vendimmarrje. Përndryshe, vetëm sa për ta mbajtur në jetë një qeveri për pak pushtet, për Aleancën ne e dimë rrugën që të shkojmë në shtëpi, se e kemi ditur edhe në të kaluarën, ja do të shkojmë në zgjedhje’, ka deklaruar Haradinaj.