Miku i mirë shihet në ditë të veshtira. Kjo si duket po vërtetohet edhe në rastin e ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov në raport me BDI-në e Ali Ahmetit. Informatat e fundit flasin se pas përplasjeve të disa ditëve më parë, BDI ka filluar të unifikohet sërish.

Rrymat kundërshtare në parti janë afër tejkalimit të mosmarrëveshjeve, falë autoritetit të pakontestueshëm të ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov, thonë burime partiake. Sipas tyre, atë që nuk arritit ta bëjë Ali Ahmeti, tani me sukses po e bën Mijallkov, duke unifikuar krahët e rrebeluar në BDI, që është një lajm i mirë për anëtarët dhe simpatizuesit e brengosur të kësaj partie.

Të njëjtat burime thonë se edhe “takimi i djeshëm Grubi-Mijallkov” ka qenë në këtë funksion. “Mijallkov është figurë e respektuar në BDI. Nëse ai i ka dhënë përkrahje Artan Grubit në takimin e djeshëm, nuk del bir nëne që e luan nga posti i zv/kryeministrit. Nese nuk i ka dhënë, atëherë do të transferohet në funksion tjetër”, theksojnë këto burime, sipas të cilëve është plotësisht e saktë se Grubi dje është takuar me Mijallkovin.

“Vetëm e kish hequr kravatën dhe pallton dhe i kish lënë në hotel. Shihej se të njejtën veshje e mbante. Besoj që ka pasur edhe më herët takime Grubi-Mijallkov, po fotografia e publikuar ishte nga takimi i djeshëm”, shtojnë ato. Në opinion dje u paraqit një fotografi e Mijallkovit me Grubin në hotel Meriot.

Mijallkov e konfirmoi fotografinë, por duke thënë se është e vjetër. Mirëpo në të njejten kohë kur u paraqit fotografia, gazetarët hasën Grubin në hotel Meriot, që ishte tepër për të besuar se është rastësi. Grubi u arsyetua se është takuar me Fatmir Deharin, mirëpo meqë Dehari nuk u pa gjëkundi, dyshimet vetëm se u shtuan./lajmpress.org