Lirim Zendeli nga sezoni i ardhshëm në Formula 2 (VIDEO)

Të jetosh në të qindtat e sekondës, aq e ndajnë suksesin nga dështimi në një sport që ecën me 350 km/h. Lirim Zendeli është krenaria e kombit shqiptar në sportet e shpejtësisë, aty ku nuk kemi traditë, por aktualisht kemi fatin të admirojmë një kampion me gjakun kuqezi.

20-vjeçari po zhvillon një sezon të mrekullueshëm në Formula 3, një kampionat që është në vitrinë për një të ardhme në qiellin e 7-të të automobilizmit, Formula 1.

Në këto nivele janë jetike instiktet e një piloti, pasioni, saktësia dhe qetësia, por ka shumë rëndësi edhe sponsorzimi, dhe për fatin e Zendelit një shqiptar i cili zotëron një kompani shumë të suksesshme në Gjermani.

Sali Ajdini pronari i kompanisë “Ajdini Spedition and Logistics” ka qenë në krah të djaloshit nga Shkupi për ta mbështetur miqësisht, por mbi të gjitha financiarisht. Ajdini në një intervistë për “Supersport” skanon pilotin e tij duke e mbuluar me vellon mëse të merituar të lëvdatave.

“Lirimi është një djalë i vendosur, që do të arrijë Formulën 1. Po e pati makinën e duhur dhe po e pati skuadrën që punon mirë, mund ta kalojë sezonin mjaft mirë. Në Austri ka bërë një garë mjaft të mirë dhe ka dalë i dyti. Lirimi ka sensorë në trup dhe e ndjen makinën në çdo kthesë, në çdo milimetër të asfaltit dhe nuk kam asnjë dyshim që do t’ia arrijmë qëllimit”, u shpreh Ajdini.

Në sezoni aktual në Formula 3 kanë ardhur dy vende të dyta, madje gara e Silverstonit ishte për zemra të forta sepse u zgjidh vetëm në kthesën e fundit. Qershia mbi tortë do të ishte fitorja e parë e Zendelit në F3 dhe Ajdini shpreson shumë që ky triumf emocionues të vijë në 3 garat e mbetura.

“Kanë mbetur edhe 3 garat e fundit, në Belgjikë, Monza dhe Muggello, ndaj shpresojmë shumë që të fitojmë me Lirmin njërën prej këtyre garave, për të na lumturuar të gjithëve”, u shpreh Sali Ajdini.

Objektivi sezonal është përfundimi mes 10 pilotëve të parë në renditjen e përgjithshme, aktualisht djaloshi 20-vjeçar është i 11-ti në klasifikimin e pilotëve, teksa sponsori Sali Ajdini zbulon edhe një lajm të mrekullueshëm, Lirim Zendeli sezonin tjetër do të garojë një shkallë më lartë , në Formula 2.

“Aktualisht Lirimi garon në F3, por duke nisur nga sezoni I ardhshëm, them se do të garojmë në Formulën 2, pasi ka edhe kërkesa të shumta”, u shpreh sponsori i Zendelit.

Sportet e shpejtësisë janë shumë të kushtueshëm dhe janë vetë financim deri kur mbërrin në formula 1, të duhen para pa fund dhe në këtë pikë fati i Zendelit ka qenë mbështetja e madhe Sali Ajdini, interesant është fakti se cila ishte shtysa që e bëri biznesmenin e suksesshëm shqiptar të shpenzojë të ardhura për talentin kuqezi.

“Për mua është një kënaqësi shumë e madhe që Lirimi është i vetmi shqiptar që garon në F3, ndaj e sponsorizoj me kënaqësi. E kam me pasion sportin, por e mbështes mbi të gjitha edhe për faktin që është i vetmi pilot shqiptar”, tha Ajdini.

Përfitim financiar të drejtpërdrejtë nuk ka ende, por Ajdini u bën thirrje të gjithë personave që e kanë mundësinë të sponsorizojnë t’i bashkohen në krah Lirim Zendelit, sepse reklamimi që ofron Formula 3 është do të jetë në dobi të bizneseve të tyre.

“Që kur emri i kompanisë time ka dalë në makinë në Formulën 3, më janë shtuar mbi 3500 klikime në ditë, në faqen zyrtare. Kam përfituar edhe dy kontrata të reja prej këtij angazhimi dhe shpresoj që të na bashkohen edhe sponsor të tjerë”, u shpreh Ajdini.

Në fund me kë do e krahasonte Sali Ajdini, Lirim Zendelin, teksa projekti për ta dërguar 20-vjeçarin në Formula 1 shkon përtej një dëshirë të sponsorit të tij.

“Zendeli më ngjan shumë me Lewis Hamiltonin. Unë e shoh në të gjitha sjelljet, nga nisja, mënyra si garon dhe ka stilet e Hamiltonit. Edhe ai nu ke ka pasur përkrahjen e duhur në fillim, por tani besojmë që së shpejto, ndoshta që në vitin 2022 t shohim Lirimin në Formula 1. Shpresojmë që të kemi një mbështetje të madhe dhe të na bashkëngjiten edhe shqiptarë të tjerë, për ta ndihmuar të arrijë deri këtu ku është Lirimi aktualisht”, tha Ajdini.

Në shtator piloti i mbështetur nga sponsorët dhe skuderia e tij po planifikon një tur në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut së bashku më njëvendëshen e tij ku çdo kush mund të përjetojë shpejtësinë dhe adrenalinën e makinave unike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme