Një sasi prej 60960 euro si dhe 46 artikuj (bizhuteri) floriri janë sekuestruar në Portin e Durrësit në një minibus të linjës Shqipëri-Francë.
Policia e Durrësit thotë se në pranga është vënë drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale A.M. 48 vjeç nga Shkodra.
“Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare, është kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, minibuzi i linjës Shqipëri – Francë – Shqipëri, me drejtues shtetasin A.M.
Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, në bashkëpunim edhe me specialistët e Trafiqeve të Paligjshme dhe ata të hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në kabinën e shoferit A.M., janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 60960 euro si dhe 46 artikuj (bizhuteri) floriri.
Në vijim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit, shtetasi A.M., 48 vjeç, banues në Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Ndërsa materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.