Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se akuzat e të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell nuk tregojnë asgjë për LVV-në dhe as për kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti.

Sipas Nagavcit, sjellja e Grenell tregon shumë për mënyrën se si ai negocion, kurse u shpreh se ka qenë fat i mirë që Qeveria Kurti ka qenë në pozitë, për aq kohë sa të ndalonte ndarjen e Kosovës.

“Akuzat që në vazhdimësi i ka bërë zotëri Grenell nuk tregojnë asgjë për LVV-në as për zotëri Kurtin, ato tregojnë për mënyrën si negocion dhe partnerët që i dëshiron zotëri Grenell. Ka qenë një fat i mirë që Qeveria Kurti ka qenë në pozitë, qoftë edhe për shkurt, por për aq kohë sa të ndalonte ndarjen e Kosovës. Duket se zotëri Grenell i pëlqen që të ketë negociator si zotëri Hoti dhe të tjerët që i bëjnë aminin për çdo kërkesë që ai e ka pa marrë parasysh cilat janë interesat e Republikës së Kosovës”, tha Nagavci gjatë konferencës për medie. /Telegrafi/