Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka “vdekur”, por aktualisht është ndalur në BE dhe në Uashington.
James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës, ka treguar se si një zyrtar i lartë amerikan i kishte thënë se koha e idesë së shkëmbimit të territoreve nuk ka ardhur ende.
Ai dyshon se në një moment, kjo temë do të kthehet përsëri në tryezë.
“Më kujtohet që një ish-zyrtar i lartë amerikan kishte thënë në një konferencë vitin e kaluar se ai mendonte se rregullimet territoriale midis Serbisë dhe Kosovës ishin një ide, koha e së cilës ende nuk kishte ardhur. Me fjalë të tjera, megjithëse ka sigurisht shumë kundërshtim ndaj tij, unë dyshoj se në një moment do të kthehet përsëri në tryezë”, ka deklaruar Ker-Lindsay në një intervistë për “Bota sot”.
Ndërsa, sipas ekspertit gjerman për Ballkanin Perëndimor Bodo Weber, ideja momentalisht është ndalur në Uashington dhe në Bruksel.
Por, ai ka theksuar se ideja do të jetë gjallë, derisa të arrihet marrëveshja përfundimtare dhe Serbia ta njohë shtetin e Kosovës.
“Ideja do të jetë e gjallë derisa të kemi një marrëveshje përfundimtare dhe Serbia të njohë Kosovën. Por për momentin, ideja është ndalur si në Uashington, ashtu edhe në BE”, ka thënë Weber për gazetën “Bota sot”.
Weber ka akuzuar ish-kryenegociatoren e BE-së Federica Mogherini, se prishi negociatat për marrëveshje, duke mbështetur idenë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq, për shkëmbim territoresh.
“Për dy vjet, roli udhëheqës i BE-së në negocimin e një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse u minua dhe u prish nga kryenegociatorja Federica Mogherini dhe ekipi i saj i privatizimit të procesit , duke tradhtuar vlerat demokratike evropiane duke mbështetur Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiqin për një marrëveshje të shkëmbimit territorial”, ka thënë ai.
Për “harta dhe thika” në Uashtington, ka akuzuar edhe ish-kryeministri Albin Kurti.
“Marrëveshja është e gatshme ku këta me thika mbi hartën e Kosovës kanë qëndruar për dy vjet e tash mua duan të më ftojnë t’i bashkohem tavolinës për kërcitjen e tapës së shampanjës, unë nuk e bëj këtë“, ka thënë Kurti./BS