Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan dhe ai francez Emmanuel Macron thanë të martën se kishin zhvilluar bisedën e tyre të parë pas konfrontimit midis dy aleatëve të NATO-s lidhur me tensionet në rritje në Mesdheun Lindor.
Ministria e jashtme franceze tha pas telefonatës që zgjati mbi një orë, se shpresonte që dialogu midis Turqisë dhe Greqisë do të mund të vazhdojë. Ajo tha se Presidenti Macron kishte bërë thirrje për një qasje të ngjashme me Qipron.
“Ai (Macron) i bëri thirrje Turqisë që të respektojë plotësisht sovranitetin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe të përmbahet nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm që mund të provokojë tensione”, tha ministria e jashtme franceze, duke shtuar se Macron dhe Erdogan kishin rënë dakord të qëndronin në kontakt.
Marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë janë tensionuar mjaft për një numër çështjesh, siç është kërkimi i hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, ku Ankaraja ka mosmarrëveshje me vendet anëtare të BE-së, Qipron dhe Greqinë./TCh/