Një nënë 67-vjeçare apelon për ndihmë. “Dhimbje në shpirt”, shprehet ajo, “fëmijët nuk më duan, duan të më nxjerrin jashtë nga shtëpia, bashkëshorti ka rreth 20-vite që është larguar nga kjo jetë”.
Nga studioja e emisionit me “Zemër të Hapur” në News 24, Fatmira Koleci tregon sesi e humbi njërin prej djemve, i cili u vetëvar në Greqi, pas një debati me vëllezërit e tij. Ai ndërroi jetë në vitin 1998. 67-vjeçarja jeton me njërin prej djemve dhe nusen e tij, të cilët e keqtrajtojnë dhe duan ta nxjerrin nga banesa.
Banesë, të cilën Fatmira ka kontribuar për ta ndërtuar. “Ti nuk je nënë e mirë”, kështu i thotë djali dhe nusja, duke shkuar madje deri aty sa e quajnë “kurvë”, e ndërsa fëmijët e djalit e shohin shtrembër gjyshen.
Rrëfimi mes lotësh i të moshuarës:
Jam Fatmira Koleci, 67 vjeç, jam nëna e katër fëmijëve. Më kanë vdekur dy çuna. Njëri prej tyre 18 vjeç, në 1998 më vdiq djali u vetëvar në Greqi, ai jetonte me dy vëllezërit. Zihej shumë me vëllezërit e tij. Nuk e di për çfarë ziheshin me njëri tjetri. Çunat atëherë nuk na treguan se ishin zënë, por mua më treguan kushërinjtë. Unë tani jetoj me njërin nga çunat dhe nusen, burri vdiq para 20 vitesh. Djali që jetoj unë me të punon saldator. Ndërsa nusja e ka fëmijën e vogël. Ky ka tre fëmijë, dy çunat e mëdhenj më shikojnë me sy të shtrembër, goca e vogël që është 6-vjeçe shkon edhe i vë dorën në fytyrë të atit që të pushojë kur zihet me mua. Më bëjnë presion gjatë gjithë kohës duan të iki nga shtëpia më thotë dil jashtë kësaj shtëpie, ti nuk je nëna jonë. Nusja që kam brenda më thotë ti vajzat e tua i ke kurva.
Nuk jam ulur kurrë të bisedoj me djalin, sepse zemra ime është bërë copa, nuk ngjitet më. Vetëm ata e dinë se çfarë kanë me mua. Nusja gatuan, por unë nuk ha nga ata se nuk më japin mua, unë ha veç, nuk ulem në tryezë me ata. Herë më ftojnë në tryezë, herë jo. Unë me këdo i qaj hallet, por askush nuk më rri afër, vetëm dy gocat më qëndrojnë afër. Njëra nga gocat që këta e dhunojnë psikologjikisht më thotë mos ki turp për të shprehur hallet. Gjërat nuk përmirësohen më me djalin, sepse unë i kam turpëruar ata se dola në televizor. Unë kam frikë të kthehem sërish aty.
Vajza e 67-vjecares: Unë si vajza e asaj dua të di çfarë kërkojnë nga nëna. Unë kam folur, kryefjala e vëllezërve të mi është ofendimi dhe fjalët e pista ndaj nënës dhe ndaj dy motrave. Shumën më të madhe të operacionit të nënës time e kam dhënë unë. Ata le të dalin publikisht të dy vëllezërit dhe të thonë çfarë kanë me nënën time. Kur interesi dhe injoranca të mbulon kjo do ndodhi. Nëna ime kur ishte e fortë fizikisht ata e donin dhe tani nuk e duan më. Nuk e kuptoj çfarë kanë të dy vëllezërit. Unë jam paragjykuar nga vëllezërit për zgjidhjen e martesës. Nëna ime më shumë është kujdesur për ata. Unë dua që ata të tregojnë se çfarë kanë me nënën. Nëna është e moshuar, se di çfarë do bëhet me nënën time.