“Duke ndjekur me kujdes situatën e krijuar pas publikimit të listës zgjedhore, gjoja të votuesve fiktivë, mbrëmë u mblodh Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA, diskutoi për këtë gjendje dhe konstatoi:
Listat e publikuara, gjoja e votuesve fantomë ose fiktivë, është shkelje flagrante e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, por edhe e të gjitha konventave për të drejtën e secilit shtetas për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur;
Nga analizat që kemi bërë në Qendrën Analitike, na rezulton se në atë listë shumica dërrmuese (gati 90%) janë qytetarë shqiptarë të Maqedonisë dhe ne në këtë lexojmë tendencën e KSHZ-së dhe të partive që e miratuan Marrëveshjen e Përzhinës që shqiptarët të paraqiten si faktorë antidemokratikë dhe shkaktarë të krizës politike. Kjo listë, përveç që është raciste, ka edhe dhjetëra mijëra argumente të përveçme se është krejt tendencioze;
Analiza jonë flet se shumica dërrmuese e votuesve të asaj liste le që nuk kanë bërë dalje të shpeshta dhe të gjata nga Maqedonia, por ka plot që me vite të tëra nuk kanë dalë nga ky shtet. Cinizmi më i madh është kur shumë personalitete publike dhe ish anëtarë të komisioneve zgjedhore të zgjedhjeve të vitit 2014 tash janë gjetur në atë listë;
Për neve është shqetësues fakti që nga analizat tona del se shumica e votuesve shqiptarë të vendosur në atë listë janë votues me deklarime publike opozitare, që na bën të dyshojmë se këtu ka gisht partia shqiptare në pushtet, që kështu dëshiron ta përjashtojë votën kundër saj në zgjedhjet e ardhshme;
Pasi që kemi konstatuar se kjo listë e ka thelluar edhe më krizën, e ka asgjësuar plotësisht besimin në procesin votues dhe ka shkaktuar dëme që vështirë do të riparohen në këtë proces, Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA vendosi që:
të ngrejë procedurë para Gjykatës Kushtetuese që të vlerësohet vendimi i KSHZ-së për mohimin e së drejtës së votës për 39.502 votues njëherazi shtetas të Maqedonisë;
t’i drejtohet parashtresë Avokatit të Popullit, që ky institucion të reagojë për diskriminim që u bëhet qytetarëve të R. së Maqedonisë, duke ua mohuar të drejtën e votimit dhe duke i detyruar ta rikonfirmojnë veten se nuk janë fantomë ose fiktivë;
t’i drejtohet me kërkesë zyrtare KSHZ-së për të kërkuar shpjegime se cila ka qenë metodologjia që i ka nxjerrë në listën për t’u fshirë 39.502 votues dhe si ka qëlluar që shumica dërrmuese e tyre të jenë shqiptarë;
t’u dërgohet letër kryetarëve të katër partive pjesëmarrëse në nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinës, që t’u kërkohet shpjegim se si janë marrë vesh për pastrimin e listës zgjedhore. Gjithashtu atyre do t’u tërhiqet vërejtja se kjo mënyrë raciste e përpilimit të listave zgjedhore le që nuk shkon në dobi të demokratizimit të vendit dhe nuk përçon mesazh për përqafim të vlerave evropiane, porse ky moment dëshmon pikërisht të kundërtën – se ata nuk e kanë dert demokracinë, drejtësinë e barazinë, madje as integrimin, por e kanë vetëm një hall – pushtetin;
t’u dërgohet letër ambasadorëve të SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë, si kontribuues dhe lehtësues për arritjen e asaj marrëveshje, në të cilën do t’u shpjegohet se ajo marrëveshje dhe kjo mënyrë e pastrimit të listës, në vend që të prodhojnë demokraci dhe mirëbesim, do të prodhojnë racizëm dhe ksenofobi;
t’u dërgohet letër organizatave OSBE-ODIHR, si dhe Human Rights Whatch, Transparency International dhe Komitetit të Helsinkut, që të alarmohet fakti i diskriminimit që është krijuar me këtë listë zgjedhore dhe të ngrihet shqetësimi për manipulimin e madh zgjedhor që synojnë ta prodhojnë këto parti dhe KSHZ-ja;
aktivistët e BESËS ta kontaktojnë secilin votues të asaj liste dhe t’ia dorëzojnë një fletushkë me udhëzime se si të rikthehet në listën e votimit, por edhe t’i ndihmojnë që ai ta realizojë këtë detyrë.
Duke qenë të bindur se kjo që ndodhë në Maqedoni i ka tejkaluar edhe kufijtë e diktaturës dhe se nuk mund të flasim më për demokraci, Lëvizja BESA deklaron se, nëse edhe pas gjithë këtij angazhimi, ata votues nuk përfshihen në listën zgjedhore dhe nuk u njihet e drejta e votës, ky përveç që do të jetë një lajm i keq për demokracinë e Maqedonisë, do të jetë shenjë se e ardhmja e këtij vendi përsëri do të vihet në pikëpyetje.
Ne jemi të gatshëm ta përdorim secilin mjet që ta mbrojmë votën e secilit qytetar të Maqedonisë dhe për këtë nuk bëjmë kurrfarë kompromisi. Nëse dikush mendon se fshin votues si ia ka ëndja, ta dijë se do ta ketë përpara shqiptarin e nëpërkëmbur, andaj le t’ia mendojë mirë se çfarë zgjedhje mund të organizojë nëse 30 mijë qytetarë dalin “të votojnë” nëpër rrugët e shtetit”, ka deklaruar kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në një pres – konferencë të sotme për media.