Një deklaratë e kryesuesit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexhës, se toka e shtetit është dhënë pothuajse falas, ka ngjallur reagime të shumta. Sipas Rexhës, pesë mijë ari tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit.
Rexha që ka qenë kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka thënë se edhe arsyeja e dorëheqjes nga kjo pozitë ka qenë privatizimi me çmim mjaft të ulët i këtyre tokave.
“Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin, ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, ka deklaruar Rexha.
Bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, një prej zyrtarëve që ka blerë toka në privatizim me këto çmime është edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim në vitin 2009 në vlerë 75 mijë euro, e që i bie 3 euro e 75 cent arin.
“E kemi riblerë tokën tonë. Toka e riblerë në procesin e privatizimit, është një pronë e banorëve të Gllogjanit, tokë kodrinore, e nacionalizuar ose e marrë pa kurrfarë kompensimi nga shteti serb. Në fakt nuk janë 1 mijë hektarë, por janë 200 hektarë të cilën e kemi blerë me të gjitha procedurat dhe normat e privatizimit.Sigurisht se i vetmi epilog për një pronë të marrur, mund tëjetë rikthimi i saj, anise duke e blerë për të dytën herë.
Ndërkaq nxjerrjen e këtyre informacioneve të sajuara ose gjysmë të vërteta, e konsiderojmë si presion për të hequr dorë nga mbrojtja e disa pronave shumë më të mëdha, siç janë 12 mijë hektarë në kufirin me Malin e zi, presion për ta lejuar Isa Mustafën e Hashim Thaçin, që për interesin e tyre dhe nën firmën e Asociacionit ta krijojnë edhe një komunë me shumicë serbe në Prilluzhë, në mënyrë që Serbinë t’na e bëjë hisedar në basenin e qymyrit, apo edhe koncesione të tjera në dëm të Kosovës.Por të gjitha këto përpjekje janë të mjera përballë vetëdijes qytetare, se populli i Kosovës është sovrani dhe ai, e jo individët, vendosë për pronat dhe për shtetin e Kosovës”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook.
Përveç, Ramush Haradinajt, edhe një komandant tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka blerë tokë të shtetit nga Agjencia e Kosovës për Privatizim.
Bëhet fjalë për kushëririn e Ramushit, Nasim Haradinajn, i cili në deklarimin e pasurisë së tij tregon se vitin 2004 ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi. Këta hektarë tokë, Haradinaj i ka deklaruar tek pjesa e pasurisë së paluajtshme me vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro.