Gjykata në Ferizaj e ka dënuar të akuzuarin Trimor Lalinovci me burgim të përjetshëm. Trimor Lalinovci është gjetur fajtor për një vrasje të kryer në dhjetor të vitit 2019, shkruan Express.
Gjykata ka gjetur se i akuzuari, me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishte privuar nga jeta Shkodran Bytyqin.
Në momentin kur kryetari i trupit gjykues i ka shqiptuar dënimin, salla ka shpërthyer në duartrokitje.
“Gjykata ka ardhë në përfundim se shqiptimi i dënimit me burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarit është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale ndaj të akuzuarit dhe përgjegjësinë penale. Gjykata është e bindur se dënimi i shqiptuar do ta arrijë qëllimin e dënimit për parandalimin e të akuzuarit për kryerjen e veprave penale. Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë për ankesë”, ka deklaruar gjyqtari i këtij rasti.