Në debatin parlamentar që po bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës lidhur me çështjen e të pagjeturve, shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se Qeveria Hoti ka gabuar kur më 4 shtator, ka barazuar të pagjeturit me të zhvendosurit.
Debati i sotëm është thirrur nga shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, i mbështetur edhe nga gjashtë deputetë, të cilët kanë ka iniciuar debat parlamentar në lidhje me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbajë të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë që ende konsiderohen të zhdukur.
Por, Selimi i tha Shalës që kanë pasur rrugë më të shkurtë për të adresuar këtë çështje, meqë edhe janë pjesë e koalicionit qeverisës
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje do të jap mendimet e saj në çdo debat që është për temën e të pagjeturve, por si pas tij, deputetët e Nismës nuk e kanë zgjedhur rrugën e duhur për të diskutuar këtë temë.
“Hajde t’i ndihmojmë qeverisë që qeveria t’a nxjerrë si prag për të mos kontaktuar e biseduar me Serbinë pa zgjedhur çështjen e të pagjeturve. Çështja e të pagjeturve nuk do të duhej të trajtohej duke e marrë si pikënisje një emision televiziv siç ju e keni të përshkruar në arsyetimin e thirrjes së kësaj seancë. Ne këtu do të jemi, do të diskutojmë, mendoj që edhe ju si mazhorancë do të duhej t’i jepnit seriozitet më të madh kësaj teme, këtij debate, qoftë me pjesëmarrjen tuaj fizike këtu në Kuvendin e Kosovës por mendojmë që nuk e keni zgjedhur rrugën më të shkurtë, më të drejtë dhe më efektive, për ta adresuar këtë çështje që është rruga përmes rekomandimeve që ju do i jepni qeverisë si deputetë ose ju si koalicion qeverisës ti merrni hapat dhe të merrni vendime”, tha Selimi.
Selimi tha se Qeveria Hoti e ka dëmtuar këtë çështje.
“Për këtë çështje ka ndodhur një gabim shumë i madh që ka bërë qeveria juaj. Në bisedimet e fundit, edhe në zotimet e fundit të Hotit më 4 shtator është përmendur kjo çështje, madje është dëmtuar deri në atë shkallë saqë në do të diskutojmë në një seancë tjetër këtu për atë dëm që i është bërë çështjes. Është barazuar fati i të pagjeturve me fatin e të zhvendosurve”, tha Selimi.