Ata rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre. Nuk janë vetëm për t’i mbrojtur dhe për t’ju dhënë siguri banorëve të Vjenës, por kanë edhe përgjegjësi tjera. Gazeta austriake “krone.at” ka nisur një anketim për të përzgjedhur “Policin më të mirë të qytetit”. Janë 6 kandidatë, e në mesin e tyre edhe polici me prejardhje shqiptare, Kaltrin Murati. Votimi mund të bëhet deri më datën 24 shkurt, në orën 9 të mëngjesit.
Këta gjashtë zyrtarë policorë që u përzgjodhën, përveç që rrezikuan jetën e tyre duke shpëtuar jetët e të tjerëve, kapën edhe tregtarë të drogës dhe kriminelë të tjerë.
Sipas gazetës “krone.at”, vitin e kaluar në një ndërtesë në rrugën Preßgasse në qarkun e katërt të Vjenës kishte ndodhur një shpërthim i një bombole gazi ku kishin mbetur dy persona të vdekur dhe 15 të lënduar. Por, falë policit Kaltrin Murati numri i të vdekurve nuk kishte rritje. Personat tjerë që kishin mbetur të ngujuar në atë ndërtesë arritën të shpëtojnë gjallë. Ai, duke rrezikuar jetën e tij, ishte i pari që arriti t’u dalë në ndihmë banorëve, transmeton albinfo.ch. Kaltrini, duke u ngjitur nga shkallët ndihmëse, kishte dëgjuar një grua e cila bërtiste, qante dhe kërkonte ndihmë. Ndërtesa ishte pranë shembjes. Gruaja kishte mbetur e ngujuar nën një gërmadhë në katin e tretë. Ai me qetësi dhe profesionalizëm arriti ta shpëtonte.
Kaltrin Murati është lindur në Vjenë, nga prindër shqiptarë. Albinfo.ch merr vesh se 30 vjeçari ka prejardhje nga Tetova. „Ky është profesioni im i preferuar“, thotë polici shqiptar i cili flet rrjedhshëm disa gjuhë të huaja. Ai është në shërbim të sigurisë së qytetarëve për qarqet (Bezirk) 4,5,6 të Vjenës. Në kohën e lirë të tij, pëlqen të luajë basketboll dhe futboll, përcjell albinfo.ch. „Trofeun e fitores do të doja ta vendosja inspektoratin policor. Kjo do të ishte një mirënjohje edhe për kolegët e mi“, ka thënë ai për krone.at.
Kjo garë organizohet çdo vit nga Drejtoria e Policisë së Shtetit në Vjenë në bashkëpunim me qytetin e Vjenës.
Më 13 Mars, kandidati që merr më së shumti vota do të shpallet fitues një mbrëmje festive në bashkinë e qytetit në Vjenë.
Për të votuar për policin shqiptar mund të shtypni këtë link, https://www.krone.at/2095482
Pasi ta hapni linkun, shikoni në fund të faqes ku gjendet emri i Kaltrin Muratit dhe aty mund të votoni.