Rritet krimi organizuar i kosovarëve-shqiptarëve në Gjermani

Raporti i Entit Federal të Kriminalistikës tregon se edhe në vitin 2019 shqiptarët i kanë preokupuar prokuroritë dhe gjykatat gjermane.

Në fillim të javës përfundoi në Neu-Ulm, një qytet në Bavari, një gjyq kundër një grupi shqiptarësh. Akuza ishte për ndihmë në tregtinë ilegale të lëndëve narkotike në sasi jo të vogla. Të akuzuarit kishin hyrë në natën e 14 dhjetorit 2019 në një depo frutash në Neu-Ulm për të marrë 500 kg drogë të ruajtur në kutitë e bananeve. Prokuroria e dinte që në depo ndodhej kokaina e ardhur nga Ekuadori nëpërmjet Roterdamit  dhe e kishte ndërruar më parë lëndën narkotike me imitime.  Në momentin kur shqiptarët hynë për të “vjedhur” drogën,  policia i kapi.

Gjyqi u dha gjashte të pandehurve dënime prej 6 deri 7 vjetësh, bëhet e ditur nga një deklaratë shtypi e Gjykatës së Landit në Memmingen. Prokurori Markus Schroth, i tha DW se të akuzuarit  ishin në  përgjithësi persona nga familje të varfra, që kishin marrë pjesë ne aksion nga nevoja për të ardhura.

Rast i Neu-Ulmit nuk është i rrallë. Dy muaj përpara se të kapeshin shqiptarët në fjalë, ishin dënuar në Landshut për të njëjtën akuzë pesë  shqiptarë të tjerë në një nga proceset më të mëdha gjyqësore të kokainës në Gjermani. Sasia e kokainës e kapur kështu në kutitë e bananeve, që vinin nga Ekuadori në Hamburg për t’u shpërndarë nëpër depot e staxhionimit në Gjermani ishte mbi 2 tonë. Si në rastin e Landshutit, ashtu edhe në rastin e Neu-Ulmit, në bankën e të akuzuarve ishin vetëm ndihmësit. Kokat e krimit mbeten të pazbuluara.

Të dytët pas gjermanëve

Tregtia ilegale e drogës, kryesisht importi i kokainës nga Ekuadori, dhe shpërndarja nëpër Gjermani, dhe deri diku edhe prodhimi i kanabisit përbënin 93% të aktivitetit të krimit të organizuar shqiptar në Gjermani, bën të ditur Enti Federal i Kriminalistikës (BKA), në pasqyrën vjetore të krimit të organizuar, që u botua javën e kaluar.

Fushat e tjera të aktivitetit të krimit të organizuar në Shqipëri janë krime të pronësisë dhe falsifikim dokumentesh. Shqiptarët edhe në vitin 2019 vijojnë të jenë në krye të listave për pjesëmarrje në strukturat e krimeve të organizuara. Nga 202 grupime të identifikuara për trafik droge, në vitin 2019, 29 ishin të dominuara nga shqiptarët. Numri i grupimeve shqiptare aktive në tregtinë e drogës në vitin 2019 renditej kështu i dyti në listën e BKA-së, pas gjermanëve me 66.

13,5 milione xhiroja

Në statistikat e Entit Federal të Kriminalistikës përmenden vetëm rastet e kapura nga policia. Si krim të organizuar BKA konsideron krimin që përmbush njërin nga tre kushtet a) përdor struktura biznesi, b) përdor kërcënime ose dhunë si mënyrë intimidimi c) ka ndikim në politikë, media, administratë, drejtësi ose ekonomi.

Në krahasim me vitin 2018, në vitin 2019 krimi i organizuar i shqiptarëve në përgjithësi rezulton të jetë rritur. Edhe pse numri i të dyshuarve për aktivitete kriminale të organizuara ka mbetur i njëjti si në vitin 2018, pra, 244. Vitin e kaluar autoritetet federale kanë futur në listat e tyre 146 shtetas shqiptarë të rinj, të kapur në kuadër organizatash kriminale.

“Mbetja e njëjtë e shifrës së personave të dyshuar është rastësi”, i tha DW një zëdhënëse e BKA-së.

Të ardhurat nga krimi i organizuar me shtetësi shqiptare në vitin 2019 janë dyfishuar, siç del në pah nga pasqyrat vjetore të BKA-së për krimin e organizuar për vitet përkatëse. Kështu, ndërsa në vitin 2018,  xhiroja  e grupimeve shqiptare ka qenë mbi gjashtëmilionë euro, në vitin 2019 kemi një rritje në mbi 13,5 milionë euro. Xhiroja e grupimeve të kapura me tregti droge në vitin 2019 ka qenë  gjithsej 46,4 milicinë euro.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme