Koalicioni Rilindje me Besë ka mbajtur takimin përmbyllës me përkrahësit e kësaj force politike e cila është duke u rikonfirmuar si forca kryesore shqiptare në këto zgjedhje.
Që nga hapja e fushatës në sallën “Vip Arena” ku arriti të tubojë rreth 15 mijë përkrahës e deri në natën kur e përmbyllën fushatën, Rilindje me Besë vetëm u rrit dhe u fuqizua. Tubimet e saj ishin masovike dhe turma të mëdha njerëzish iu bashkëngjitën. Njëjtë ndodhi edhe në Tetovë ku kryetari Bilall Kasami ua kumtoi të pranishmëve lajmin e fitores së madhe të koalicionit Rilindje me Besë në zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Fjalimi i plotë i kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami drejtuar popullit që nuk i shihej fundit.
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Jemi mbledhur sonte që ta përcjellim mesazhin e fitores së madhe të koalicionit Rilindje me Besë.
Kjo nuk është fitore e subjekteve politike. Është fitore përballë atyre që u thirrën në emër të shqiptarisë e në fakt ishin dorë e zgjatur e qarqeve politike e policore maqedonase!
Kjo do të jetë fitore e shqiptarëve të Maqedonisë ndaj partisë shqiptare që ishte shërbëtore e projekteve antishqiptare të VMRO-DPMNE-së, BDI – së.
Në këto zgjedhje profesionistët e Rilindjes me Besë u përballen me ata që u pasuruan në kurriz të popullit, përfituan nga fatkeqësia e hallexhinjve. Përballë kishim kryesuesit e BDI’së që ishin në gjendje të shesin edhe vlerat tona kombëtare, gjë që dëshmuan duke e prerë dhe duke e zvogëluat flamurin tonë kombëtarë si dhe duke u munduar që luanin bullgar ta këmbejnë me shqiponjën tonë dykrenore.
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur vëllezër dhe motra,
Fitorja e Rilindjes me Besë është e sigurtë. Por, kur e them këtë ne e dijmë se përballë kemi kundërshtar politikë siç është BDI – ja për të cilën nuk vlejnë më rregullat demokratike dhe as ato politike. Përballë kemi një parti që i është dorëzuar rrugaçërisë politike, atyre që përmes muskujve me çdo kusht duan të mbetet në pushtet. Sepse për ta mbetja në pushtet është mbijetesa e vetme. Në emër të këtij qëllimi ata ishin në gjendje ta dhunojnë edhe popullin e vet. Nëpërmes banditizmit partiak ata tentuan ta dhunojnë, ta trishtojnë dhe ta shantazhojë votuesin shqiptarë, por sonte iu themi se ata dështuan. Nga ky shesh në zemër të Tetovës iu themi se koha e tyre ka mbaruar dhe se nuk ka forcë politike që mund ta ndalë vullnetin e popullit.
Rilindja me Besë dëshmoi se qëllim i saj kryesor kishte që ta luftojë këtë të keqe që është duke e varfëruar dhe duke e shkatërruar indin e shqiptarisë në Maqedoni. Dhe për t’i mbrojtur vlerat tona kombëtare, morale, familjare ne duhej të luftonim me politikanë që e kanë trashur zullumin deri në atë pikë sa e keqja që vjen nga BDI është e paparashikueshme. Jo rastësisht për të mbrojtur BDI – në u aktivizuan edhe qarqe të caktuara jashtë kufijve të Maqedonisë sepse për ta më të rëndësishëm janë politikanët e shantazhuar dhe të kontrollueshëm, se sa vullneti i lirë i një populli.
Por, ne sonte nga ky shesh ju themi se ishin të kota të gjitha përpjekjet dashakeqe. Se dështuan të gjithë ata që dështën ta ngufasin vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë. Të gjithë ata që përfituan në emër të përbuzjes dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit që ua bëri BDI – ja duke i shërbyer besnikërisht Nikolla Gruevskit. Pra, ne i dinim gjitha rreziqet me të cilat do përballemi si individ dhe jo se nuk e dinim se këta të BDI-së janë dhunues e bukëshkelës, por nga ana tjetër ne s’kishim si i ikim përgjegjësisë që kemi përpara këtij populli që na shkolloi e rriti, që ta mbronin e jo që ta linim në duart e banditëve partiak.
Ne i dinim të gjitha rreziqet me të cilat do përballem në këtë kënetë politike të quajtur Maqedoni, por ne dinim diçka që drejtuesit e BDI-së siç duket qëmoti e kanë harruar: se ky popull falë shumëçka, por jo edhe kur dikush e përbuzë dhe e nënçmon. Ky popull nuk i fal ata që ua rrezikojnë të ardhmen fëmijëve të tyre.
Andaj, të dashur vëllezër dhe motra me 11 dhjetor nuk do të votohet për Rilindjen me Besë, por për rikthimin krenarisë dhe dinjiteti shqiptarë. Me 11 dhjetor do t’i kthejmë vlerat tona si popull dhe do t’i tregojmë palës maqedonase se gabimisht kanë menduar se shqiptaret e shesin votën e tyre, nderin e tyre, por atë e bën vetëm BDI – ja.
Dhe sonte e përgjithmonë un si kryetar i Lëvizjes BESA ua jap besën se në ju ofrojmë më të çmueshmen që kemi e pa të cilën shqiptari mbetet kufomë: besën se dikush edhe mund të shkel mbi fatet tona personale, por sa të jemi ne gjallë, kurrë nuk mund të shkelë mbi shqiptarinë.
Na prift e mbara, o sot, o kurrë!