Kosova dhe Serbia javën e kaluar kanë arritur një “marrëveshje mirëkuptimi” për të pezulluar vizitat e ndërsjella, për aq kohë sa do të zgjasin gërmimet në varrezat e dyshuara masive, ku dyshohet se janë varrosur civilët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo marrëveshje, sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, u bë menjëherë, pasi autoritetet në Prishtinë refuzuan kërkesën për vizitë të zyrtarëve të lartë serbë.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka konfirmuar se është arritur një pajtim i mirëbesimit, por nuk ka saktësuar për çfarë palët kanë rënë dakord.
“Ne nuk komentojmë marrëveshje diplomatike apo të mirëkuptimit, të cilat i ka ndërmjetësuar BE-ja me apo mes partnerëve tanë. Por, në këtë rast konkret, mund të konfirmoj, pa hyrë në detaje, se ne kemi ndërmjetësuar një mirëkuptim të tillë mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me vizitat e ndërsjella”, ka deklaruar Stano.
Mësohet se marrëveshja u arrit përmes përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe ai parashikoi që palët të përmbahen nga kërkesa për vizita në Serbi ose Kosovë.