Lëvizja Vetëvendosje i ka kërkuar gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese të shpallin të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi në zgjedhjen e qeverisë Hoti. Rrjedhimisht sipas partisë së Albin Kurtit është anti-kushtetuese edhe zgjedhja e Qeverisë Hoti.
Anëtari i LVV-së, Blerim Sallahu në seancën e sotme dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese tha se deputeti Arifi ka humbur mandatin si pasojë e burgimit efektiv.
“Grupi parlamentar i LVV-së pretendon që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur të votohet me shumicë nga të gjitha deputetët e të Kuvendit të Kosovës. Respektivisht nuk ka arritur të marrë 61 vota në mënyrë që të konsiderohet e zgjedhur. Kjo për arsye se zotëri Etem Arifi i zgjedhur si deputetë i Kuvendit të Kosovës e ka humbur mandatin në kuptim të nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës, pasi është dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit për veprën penale me dënim prej 1 viti e 3 muaj. Rrjedhimisht përbërja e qeverisë nuk ka marrë shumicën e nevojshme të votave për zgjedhjen e saj ashtu siç është përcaktuar me Kushtetutë”, tha ai.
Sallahut të cilit iu dha fjala i pari si parashtrues i kërkesës tha se Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit në vitin 2019.
“Pra bazuar në nenin 55, paragrafin 1 të kushtetutës së Kosovës lidhur me nenin 29, paragrafi Q zotëri Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit në vitin 2019 e ka dënuar personin në fjalë me 1.3 muaj burgim efektiv. Mos zbatimi i LZP-së nga ana e KQZ-së është papërgjegjësi totale juridike duke shkelur normat juridike përkatëse në rrethanat e kohës. Certifikimi si kandidat për deputet është bërë edhe për këto arsye, se ai ka gënjyer me qëllim se ka kandidatura e tij është në përputhje me nenin 29 të LZP-së, kjo përcakton qartë se ai duhet të jetë në përshtatshmëri me gjitha pikat e nenit 29 për t’u paraqitur si kandidat për deputetë. Për më tepër edhe në pikën 3 të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese nga ana e KQZ-së potencohet se zotëri Arifi nuk kishte informuar KQZ-në në asnjë formë të përfshirë edhe në formularin për certifikim të kandidatin se ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë para certifikimit si kandidatë për deputetë. Gjithashtu as KGJK-ja nuk e ka informuar KQZ-në për një dënim të tillë të shqiptuar nga gjykata e Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, deputeti i dënuar me burgim ka humbur mandatin edhe pse është dënuar me vendim të formës së prerë para se të zgjidhet deputet.
“Personi në fjalë ka humbur mandatin e deputetit edhe pse ai është dënuar me vendim të formës së prerë para se të zgjidhet deputet. E para Kuvendi nuk ka qenë i informuar deri më 4 maj 2020 për vendimin e formës së prerë nga një gjykatë për Etem Arifin. Në kuptim të rrjedhjes të pasojave juridike në fushën penale për të akuzuarin, ato kanë filluar pasi vendimi ka marrë formën e prerë. Meqenëse një vendim i tillë është mbajtur i fshehtë nga deputeti në fjalë dhe institucionet tjera relevante në kohën kur është marrë ai vendim, në kuptimin kushtetues kanë filluar porsa kuvendi është vënë në dijeni për një vendim të tillë. Pra kur ai tashmë është zgjedhur deputetë. Në këtë kuptim duhet të zbatohet neni 70 paragrafi 3 dhe 6 i Kushtetutës. Prandaj është dashur të fillojnë procedurat për zëvendësimin e tij, meqenëse GP i Lëvizjes ka dërguar rastin në Gjykatën Kushtetues edhe ka ekzistua një vendim i Gjykatës Supreme nuk ka pasur një veprim. Pas gjithë kësaj deputeti voton për qeverinë Hoti si votë përcaktuese në formimin e qeverisë edhe pse është dënuar me burgim efektiv prej 1 vjet e tre muaj”, u shpreh ai.
Seanca dëgjimore e kushtetueses është duke vazhduar.