Instituti ndërkombëtar për Ekonomi dhe Paqe vlerëson se Shqipëria ka rrezikun më të lartë sesa vendet e tjera të Ballkanit për t’u prekur nga veprimtaritë terroriste. Vendi renditet i 95-ti, plot 40 vende poshtë Kosovës e cila paraqitet si ndër shtetet me impakt minimal nga terrorizmi.
Terrorizmi rrezikon Shqipërinë më shumë se çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor.
Indeksi Global i Terrorizmit për vitin 2020, i publikuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe, vëren se Shqipëria është përkeqësuar me 13 vende në listën botërore.
Vendi tashmë renditet i 95-ti duke zhbërë përmirësimet e arritura në vitin 2019.
Prania e ish-luftëtarëve shqiptarë të kthyer nga vendet e konfliktit në Lindjen e Mesme, por edhe faktorë të jashtëm si komploti i vitit të shkuar për eliminimin e opozitarëve të regjimit iranian që strehohen në Shqipëri, mendohet ta kenë rritur rrezikun nga terrorizmi në vend.
Në fillimin e dekadës, si Shqipëria, edhe Kosova regjistruan një numër qytetarësh që iu bashkuan luftës së shenjtë të islamikëve në Siri, por ndryshe nga Tirana, indeksi i fundit e paraqet Prishtinën më të sigurtën në botë për sa i përket mundësisë së akteve terroriste.
Për rajonin, Bosnjë-Hercegovina ka bërë përmirësimin më të madh duke iu barazuar Shqipërisë në vendin e 95-të, ndërsa më mirë se të dyja listohen Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kroacia me një rrezik të papërfillshëm prej sulmeve terroriste.
Raporti thekson se në Ballkanin Perëndimor mbeten të depozituara rreth 7 milionë armë të lehta pas konfliktit të viteve 1990, por në zgjidhjen e çështjes së armëve të vogla dhe të lehta, sipas ekspertëve, po punon më shumë Bashkimi Europian sesa vetë vendet që i disponojnë ato.
Kroacia, Kosova dhe Sllovenia renditen ndër vendet më të sigurta në Evropë dhe në botë.
Në nivel global, 13,800 persona ranë viktima të terrori vitin e shkuar, bilanc tragjik por më i ulët për të pestin vit me radhë krahasuar me kulmin e arritur në vitin 2014.
Afganistani, Iraku dhe Nigeria renditen si vendet më të prirura për të regjistruar sulme terroriste.