Për një kohë të shkurtër mbrëmë një paciente mori dy herë trajtim në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal të Ferizajt. Sipas infermieres ajo u rikthye edhe njëherë për trajtim në spital, pasi që, sipas saj, policia hodhi gaz lotsjellës në veturën ku ajo gjendej me burrin dhe me vajzën e saj trevjeçare, pasi kishin dalë në orën policore. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe drejtori i spitalit dhe Policia. Edhe Inspektorati policor konfirmon se do të nis hetim për këtë rast.
“Të tmerruar e me lot në sy”. Kështu i përshkruan një infermiere kujdestare në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal të Ferizajt, një grua shtatzënë dhe vajzën e saj trevjeçare. Ato morën mbrëmë trajtim në këtë spital, pasi sipas infermieres pretendohet se zyrtarët policorë kanë hedhur gaz lotsjellës në makinën e tyre.
Pretendimet e infermieres i ka konfirmuar edhe drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Jeton Zeqiri. Në një përgjigje për Express, ai tha se pacientja është kthyer për herë të dytë në spital pas ndalimit që i është bërë nga policia.
“Po pacientja është kthyer për herë të dytë ku burri i saj është ndaluar nga policia. Inspektorati policor sipas informatave qe kemi është duke u marr me rastin. Gjendja e pacientes pas kontrolles është stabile”, ka thënë Zeqiri për Express.
Express sot gjatë ditës ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Policisë së Kosovës në rajonin e Ferizajt. Agim Gashi, zëdhënës i policisë, tha për Express se janë të njoftuar për rastin i cili sipas tij ka filluar për shkak të mosrespektimit të urdhrave të policit.
“Ndaj personit është bërë fletëparaqitje për mosrespektim të urdhrave të policit dhe jemi duke grumbulluar informata edhe nga dëshmitarët për rastin. Është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës dhe ne jemi në fazën e të gjeturave. Më pas do të ndërmerren masat konform të gjeturave dhe fakteve të grumbulluara”, ka thënë Gashi për Express.
Inspektorati policor ka konfirmuar për Express se ka pranuar informatën lidhur me këtë rast dhe se tashmë veçse kanë filluar hetimet për këtë rast.
“Inspektorati Policor i Kosovës nga burimet të ndryshme ka pranuar informatën lidhur me këtë rast dhe sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informatave shtesë që kanë të bëjnë me rastin duke filluar një hetim preliminar.
Në ndërkohë infermierja që zbuloi vetëm inicialet e emrit të saj, ka thënë që ndihet e tmerruar nga ky rast. Ajo ka shprehur shqetësim se si qytetarët nuk paskan të drejtë që të dalin në rrugë gjatë orës policore as për nevoja urgjente.
“Sonte me dt.03.11.2020 jam kujdestare ne Spitalin Rajonal Ferizaj ne repartin e gjinekologjise! Ne ora 21:30 vjen pacientja shtazene ne muajin e 4-t….bene nje kontroll dhe shkon ne shtepi! Rreth ores 22:20 vjen e njejta, e traumatizuar me lot ne sy nga gazi lotesjelles qe e kan hudh policia ne veture qe ishte bashkeshorti i saj dhe qika e vogel rreth 3 vjeqe….. Zott qfar tmerri…qante femiju…..i lotonin syt..qante gruaja. Ne si staff u tmerruam nga ajo sjellje e policeve shqiptare!! Po “shkije”me qene ani s’arsyerohet ..edhe nese “burri ka rezistu “…gru shtazen plus femije ne veture……TMERR TMERR TMERR. Eshte ore policore edhe s’paskan te drejte as nevojtaret te dalin ne rrug a?!”, thuhej në shkrimin njoftues së infermierës së këtij spitali.