Nga Kim Mehmeti
Njerëzit e këqij pjesën më të madhe të jetës e harxhojnë duke u munduar që të tjerët të mos ua shohin fytyrën e vërtet, por maskën me të cilën e kanë mbuluar atë.
Dhe orvatjet e Piktorit për ta kufizuar lirinë e të shprehurit publik, ku bëjnë pjesë edhe memet, kanë për qellim ta mbrojnë atë nga pasqyra më besnike për ne që merremi me aktivitete publike – ajo që mendojnë e thonë të terët për ne!
Siç duket Piktorit askush nuk ia ka përcjell thënien e moçme se vetëm gjatë fëmijërisë dhe rinisë njeriu jeton me fytyrën që ia ka dhënë Zoti, dhe se gjatë jetës së mëtejme, ai vetë e zgjedhë fytyrën që donë ta ketë.
Pra se njeriu lind e rritet me fytyrën që ia ka dhënë Zoti, por plaket e vdesë me fytyrën që e ka zgjedhur për vetveten: me atë të turpit, apo atë të njerëzores.
Sidoqoftë orvatjet e Piktorit që me çdo kusht ta mbrojë shëmtinë e vet, më së miri e shpërfaq të vërtetën se të pushtetshmit e të fortit harrojnë se njeriu nuk është i tillë siç shtiret se është, duke dashur që ta pëlqejnë të gjithë, por ai është atë që shihet në pasqyrë.
Dhe përderisa burrëshetasit tjerë hartonte strategji si ta përballin papunësinë dhe katastrofën ekonomike që do pllakosë planetin pas pandemisë, Piktori i “Rilindjes” i ishte përkushtuar vetëreklamimit dhe kompletimit të biografisë së tij të ‘ndritshme’ si kryeministri më i mire që ndonjëherë ka pasur Shqipëria, por duke harruar se e rrejshmja ka afat të përdorimi vetëm për aq kohë sa atë mund ta mbrojë gënjeshtari i pushtetshëm apo i pasur dhe i pafytyri.
Dhe kjo ngutje e tij për ta mbrojtur vetveten nga pasqyra më së miri tregon se ai e ndjen fajësinë se e bëri Shqipërinë me pushtet por duke e zhbëri si shtet, se e bëri vend ku ai është edhe gjykatë kushtetuese, edhe mjek, edhe ekspertë…, por i cili në të vërtet ishte dhe mbeti vetëm atë që shihet nëpër memet e shumta – një burrështetas i paaftë, i papërgjegjshëm dhe qesharak.
Dhe një nga fatkeqësitë e mëdha që i ndodhin Shqipërisë është edhe ajo se shumica e politikanëve të saj, njësoj si edhe shumica e atyre që duhet ta shpalosin fytyrën e tyre të vërtet – pra ata që ne i quajmë opinionistë – përpëliten në të njëjtën baltë: në lloçin që ua ngjeshin pronarët e pasur të mediave, e ku nuk mungojnë as para të pista!
Ndërkohë duket se edhe kësaj radhe Shqipëria e Maqedonia nuk do mund ta nisin procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Dhe përderisa Shqipëria nuk mund të ecë përpara shkaku i keqqeverisjes, Maqedonia ngec për shkak se të sotmen e ka të ngatërruar me të shkuarën e paqartë të etnisë maqedonase.
Që do të thotë se problemi i Maqedonisë nuk është vetëm pse ajo duket si një arë e arnuar nga copat e mbetura nga shtetet fqinje, por me shumëçka ajo tregon se edhe historinë e vet e ka të arnuar.+
Por sikur edhe të ishte e vërtet kjo që u tha më lartë, duhet pranuar se populli maqedonas ka të drejtë të ndjehet atë që thotë se është, e t’i besojë historisë që e ka shkruar për vetveten.
Ndërkohë assesi nuk mund të zhbëhen të vërtetat nga e shkuara, siç është ajo se gjatë dekadave sa ekzistonte federata e Jugosllave, Beogradi bëri çmos që popullin maqedonas ta largonte sa më shumë nga ai bullgarë si dhe ta shlyente çdo ngjashmëri të gjuhës maqedonase me atë bullgare.
Sidoqoftë edhe qytetarët e Shqipërisë edhe ata të Maqedonisë gabojnë kur besojnë se do bëhen shtete kur të alarmohet e kur të vendos Brukseli, e jo kur të çohen në këmbë Shkupi e Tirana, që të kërkojnë shtet ligjor e zgjedhje të lira e të ndershme.
Kur jemi te zgjedhjet duhet thënë se fitorja e VV në Podujevë tregon se për dallim nga Shqipëria, Kosova e ka nisur dhe është duke e vazhduar betejën e rëndë për ta çliruar vetveten nga burrështetasit që nuk lodhen fare për spitalet, shkollat, gjykatat…., që ajo i ka, sepse ata vetë mjekohen jashtë vendit, fëmijët e tyre shkollohen nëpër qendrat Perëndimore dhe pse – si edhe në gjitha ‘Shqipëritë’ tona – nëpër gjykatat e Kosovës, dënohen hallexhinjtë që vjedhin nga një bukë, por jo edhe burrështetasit që e plaçkitin popullin e vet.
Pra me fitoren e VV-së në Podujevë, Kosova tregon se është duke e vazhduar betejën për të ndërtuar institucione shtetërore që nuk do jenë strehimore për kriminelë e hajdutë, për të ndërtuar shtet ku politika nuk do jetë ‘biznesi’ më fitimprurës në të cilin mjafton të investosh papërgjegjësinë e paturpësinë tënde.
KM