Miqtë e Klodian Rashës, 25-vjeçarit të ekzekutuar nga policia, thonë se ai nuk mbante armë, madje i urrente ato. Sipas tyre, vrasja e tij është një krim.
“Natën që ka ndodhur ngjarja, Klodiani ka qenë me ne deri në orën 11 të natës. Aq sa unë jam i armatosur tani, aq ka qenë Klodiani i armatosur. Nuk ka pasur kurrë armë në jetën e tij, sepse nuk ka pasur probleme me asnjë njeri.
Ai ka qenë me ne deri në orën 11 të natës dhe nuk ka pasur kurrë asnjë armë. Familja e di shumë mirë se ai në jetën e tij kurrë nuk ka pasur armë. Ka qenë njeri që i respektonte të gjithë dhe e respektonin të gjithë.
Veprimin e policisë e konsideroj të paligjshëm. Brenda një kohe të shkurtër janë dhënë tre njoftime të ndryshme. Ai është qëlluar pas shpine.
Arma nuk i përket Klodian Rashës. Ne na dhemb shumë fakti që është njollosur figura e tij. E kemi pasur shok prej 20 vitesh.
Ne jemi të parët që do të protestojmë derisa të vihet drejtësia për Klodianin. Ai jo vetëm nuk mbante armë, por i urrente dhe i kishte fobi. Policia e ka sajuar ngjarjen për të mbuluar krimin. Se ky është krim, nuk është vrasje nga pakujdesia,” thanë ata.
© SYRI.net