Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka mohuar mundësinë e një koalicioni me partinë e Ramush Haradinajt, duke i shuar kështu edhe raportimet e fundit për ndonjë bashkëpunim të mundshëm, raporton GazetaBlic.
Në një bisedë për GazetaBlic, Nagavci ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do bëjë koalicion me asnjë parti, teksa siç ka deklaruar ajo, kjo parti do të dalë fituese e vetme në zgjedhjet tjera.
“Jo, nuk është duke u menduar një koalicion me AAK-në. Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Ne besojmë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe të legjitimojnë institucionet dhe këtë legjitimet e dhënë qytetarët. S’ka asnjë diskutim për ndonjë koalicion as me AAK-në dhe me askënd tjetër. Në zgjedhje do të shkojmë të vetëm dhe t’i fitojmë mbi 50 për qind”, ka theksuar Nagavci.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj në Rubikon ka thënë se mund të ketë koalicion paszgjedhor me VV-në.
“Nuk e thashë në asnjë rrethanë se kemi marrëveshje me Vetëvendosjen për President por mund të kemi në të ardhmen, nuk e përjashtoj hiq. Mund të bëhemi partner me LVV-në pas zgjedhjeve mund të ketë edhe marrëveshje para zgjedhjeve. Kemi dallime substanciale por nuk jemi armiq, por kundërshtarë politikë”, ka thënë ai.