Një breshëri raketash shënjestroi Zonën e Gjelbër të Bagdadit, duke shkaktuar dëme në kompleksin e Ambasadës amerikane.
Ushtria irakiane tha se një “grup i jashtëligjshëm” hodhi tetë raketa në drejtim të Zonës së Gjelbër – vend ku ndodhen ambasadat e huaja dhe ndërtesat qeveritare.
Shumica e raketave ranë pranë një kompleksi bosh dhe plagosën një person të sigurimit irakian, tha ushtria lokale.
Ambasada amerikane tha se sistemet e saj të mbrojtjes u aktivizuan, ndërsa i bëri thirrje Qeverisë irakiane që të ndërmarrë veprime, për të parandaluar sulmet e tilla nga milicitë.
“Këto lloje sulmesh në objektet diplomatike janë shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe sulm i drejtpërdrejtë mbi sovranitetin e Qeverisë amerikane”, tha ambasada.
Zyrtarët amerikanë kanë fajësuar në të kaluarën milicitë irakiane, të mbështetura nga Irani, për kryerjen e sulmeve kundër interesave të SHBA-së në Irak.
SHBA-ja ka konfirmuar në fillim të dhjetorit tërheqjen e pjesshme të stafit nga ambasada në Bagdad, në përgjigje të tensioneve në rritje me Iranin dhe milicitë irakiane.
Zyrtarët kanë thënë se reduktimi i përkohshëm i stafit bëhet në prag të përvjetorit të parë të vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, në një sulm me dron të SHBA-së, në Irak.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Irani ose milicitë aleate mund të kryejnë sulme hakmarrëse rreth përvjetorit të 3 janarit.