Ministri Çuçi e nis me dhunë ndaj aktivistëve dhe pedagogëve

Një ditë pasi në karrigen e Ministrisë së Brendshme u ul ministri i ri i Brendshëm, jo shumë larg godinës së Ministrisë, efektivët e Policisë treguan sërish dhëmbët (e dhunës), jo kundër kriminelëve, por ndaj 4 aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Ditën e shtunë, Astrit Seranaj – arkitekt, Ergys Mërtiri – analist, Gentian Hasani dhe Donald Martini – pedagogë, u shoqëruan forcërisht nga efektivët e Komisariatit nr. 1 për në komisariat. Videot e publikuara vërtetonin forcën e ushtruar ndaj aktivistëve.

Ndërkohë, pas disa orësh në Polici pasi dolën, aktivistët u shprehën se u shoqëruan në komisariat vetëm se kishin qenë duke filmuar në kantierin ku ka qenë Teatri Kombëtar dhe denoncuan se ishin dhunuar nga punonjësit e Policisë. “Kam parë të rrihen njerëz në komisariat, kjo është e turpshme. Përdorin presion tjetër, do t’u bëjmë procedim se jeni pa maskë”, tha Ergys Mërtiri.

“Mua dhe Donald Martinin na kanë dhunuar brenda në komisariat”, deklaroi arkitekti Astrit Seranaj. Avokatja, Adriana Kalaja, tha se shoqërimi i artistëve është në vazhdën e sjelljeve të dhunshme që Policia po demonstron prej kohësh ndaj qytetarëve. “Këta janë qytetarë të dalluar, respektojnë ligjin, paguajnë taksa, janë model. Jo ti që e ke kthyer këtë vend në shkretëtirë. Do të përgjigjesh para ligjit. Një javë jetë të kem, do të merrem me ty. Ose do të të fus në burg, ose unë nuk e dua më jetën. Mbaje mend”, tha Kalaja.

Pas shoqërimit dhe dhunimit të aktivistëve nga efektivët e Komisariatit numër 1 në kryeqytet, aktivistë të shumtë dhe artistë protestuan dje paqësisht përpara Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar drejtësi dhe t’u garantohen të drejtat që i siguron dokumenti më i rëndësishëm shtetëror: Kushtetuta. Përfaqësuesit u shprehen se dhuna ndaj 4 aktivistëve është një tjetër veprim arrogant i Policisë së Shtetit që vjen pas vrasjes së Klodianit dhe dhunimit të protestuesve që dolën në rrugë. Një prej pjesëmarrësve në protestë ishte aktori Neritan Liçaj, i cili u shpreh se nuk do të tërhiqen nga e drejta që u takon qytetarëve.

“Nuk jemi forcë politike dhe nuk kemi asnjë strukturë dhe skenar, por bëjmë një thirrje dhe i ftojmë në kauzë të gjithë këtij regjimi që është instaluar që ne do të jemi në shesh. Arrestimet e djeshme ishin absurde. Unë po flas për Aleancën për Teatrin që u sulmuam politikisht nga maxhoranca dhe nga e majta. Ne nuk duam të tërhiqemi, duam të drejtat që na i garanton Kushtetuta dhe e drejta jonë njerëzore. Arrestimi është një tjetër sinjal, ato janë njerëz paqësorë dhe që janë dhunuar dhe në komisariat, është një veprim prej kalamajsh nga ana e qeverisë dhe ne kërkojmë dorëheqjen e Drejtorit të Policisë. Dhe pse Turi i Surrelit nuk do të di nga të hidhet me datë 25 prill, vijon me arrogancën e tij, që atë po bjerr tashmë”, ka thënë Liçaj

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme