Fytyra e dhunës në komisariat dhe paradhoma e diktaturës

Nga Ergys Mërtiri

 

Kam qëndruar larg mediave këto ditë (përveç dy-tre prononcimeve sa për të dhënë shpjegimin tim mbi ngjarjen), për shkak edhe të pamundësisë për t’iu përgjigjur të gjithave, por për shkak se nuk e kam me qef të shfaqem në pozicionin e viktimës që ankohet, pavarësisht se këtu ka vend për të bërtitur fort. Veten e shikoj si komentues lajmesh, ngjarjesh e fenomenesh dhe nuk më pëlqen aspak të jem unë vetë lajmi.

Në këto kushte, do të preferoja t’i referohesha ngjarjes, duke parë në të një fenomen përtej rastit në vetvete.

Për të gjithë ata që kanë qenë të shqetësuar, më duhet të sqaroj se nuk kam qenë i dhunuar fizikisht, në asnjë moment. Sigurisht, jam shtyrë e fyer nga policët, në mënyrë fare të pahijshme, madje edhe të turpshme për ta, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi thelbësore. Megjithatë ndjehem i dhunuar, pasi, ndonëse nuk më goditën mua, janë dhunuar miqtë e mi në syrin tim duke u goditur kafshërisht pikërisht nga njerëz me uniformë që përfaqësojnë shtetin, e që janë aty për të kundërtën, për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe lirinë e qytetarëve.

Degjenerimi i këtij shteti mund të kuptohet edhe thjesht nga fakti që policia ushtron dhunë në mes të rrugës, e pastaj na rrëmben telefonat, në mënyrë krejtësisht të paligjshme, për të fshirë provat e dhunës që ne kishim filmuar. Pra kemi të bëjmë me një polici që vepron tinësisht duke u përpjekur të fshehë dorën pasi ka hedhur gurin! Është e njëjta polici që arreston adoleshentë protestues, nëpërmjet punonjësve të saj të infiltruar (si kalecë) brenda protestës, e duke i dhunuar më pas barbarisht për t’i frikësuar që të mos protestojnë më. Ky shtet ka frikë nga reagimi i adoleshentëve! Pa koment.

Kam qenë prezent në komisariat, kur është goditur Astrit Seranaj, brutalisht, nga një punonjës policie dhe kam parë gjakun në fytyrën e Donald Martinajt, shkaktuar nga kambalja e kolegut të tij. Bashkë me ta jam përballur me provokacionet e një oficeri të policisë gjyqësore, i cili, krejt në të kundërt me detyrën e tij, u përpoq të na intimidojë e frikësojë, për të na demoralizuar që të mos reagojmë ndaj dhunës së ushtruar.

Them se ia vlen të ndalem pak tek fytyra e këtij lloj punonjësi policie, pasi aty shteti del më zbuluar se kduo, dhe se janë pikërisht këta lloj policësh arsyeja kryesore se përse kasapët me uniforma sillen si egërsira me qytetarët. Dhuna fiton krahë, pikërisht sepse janë pikërisht këta që fshehin provat, shtrembërojnë faktet dhe ushtrojnë presion mbi viktimat, për të mbrojtur paudhësitë e kolegëve. Ata janë fytyra më e shëmtuar e shtetit.

Pas dhunës së ushtruar brenda në korridorin e komisariatit, një punonjës i tillë vjen të na intimidojë duke na treguar sesa keq paskeshim qenë futur ne në telashe nga mosbindja e treguar. Kujtoj që Astriti nuk kish bërë asgjë, përveç se kish shprehur pakënaqësinë e tij për një gardh të pakuptimtë të vendosur nga policia në pedonale, ndërsa unë dhe Donaldi, nuk kishim bërë asgjë përveç se kishim filmuar shoqërimin e dhunshëm të tij. Kur i fola për dhunën e ushtruar, zotëria në fjalë u përgjigj në mënyrë ligësisht ironike se gjaku në fytyrën e Donaldit, dukej plagë e vjetër, e cila nuk ish shkaktuar nga policia.

I kërkova zotërisë të më shpjegojë se ku e gjen kurajën për të vënë në dyshim dëshminë tonë, kur nuk ka asnjë kompetencë për të gjykuar, për sa kohë nuk ish ekspert mjeko-ligjor. Në mënyrën më të trashë mu përgjigj se këtë përfundim e arrinte nga përvoja e tij me raste të dhunuarish. Përvoja e tij, në fakt, dukej se ishte eksperiencë diabolike në shtrembërime faktesh dhe përdorime të turpshme të funksionit për rëndimin e kushteve të viktimave. Nga cinizmi policor i përdorur në formulimin e fjalive, shfaqej njëfarë kënaqësie perverse, e ardhur nga fakti se zotëria ndjehej me pushtet brenda atij territori, e për pasojë, edhe superior në inteligjencë. Kjo ndodh përgjithësisht me të gjithë ata që, në fakt, superioritetin e fitojnë vetëm nëpërmjet dhunës.

Në këto kushte, i tregova zotërisë një kamerë në fund të korridorit, e cila ishte dëshmitare e asaj që ne po pohonim, dhe rrjedhimisht edhe i marrëzisë që ai mbronte. Kjo e tërboi. Filloi të ngrejë zërin, duke iu kërkuar kolegëve të na procedojnë për mosmbajtje maske kundër kovidit. Po fliste këtu me zërin e vërtetë, atë të liderit të birrucës. Duke ia kthyer me ironi, i thashë se jemi në komisariat dhe jo në gjendje të lirë, për të na gjykuar, por mu drejtua, në mënyrë kërcënuese, duke më thënë: Ty të kemi parë në kamera që ke qenë pa maskë në momentin e shoqërimit.

Situata filloi të bëhej komike. I kërkova zotërisë të zbatojë menjëherë urdhërin dhe të na vendosë gjobë. Kokoshi i uniformave blu u katandis në një thelë, dhe krimi ynë mbeti në 30 mijë lekë të vjetra! Shteti i zotërisë u shfaq pa brekë, në tërë mjerimin e tij, si një organizatë dylekshe lapangjozësh që, aq kanë në dorë të të bëjnë keq. Ishin për t’u mëshiruar.

Sigurisht, jo të gjithë policët janë njësoj dhe patjetër që ka njerëz të drejtë, të ndershëm e profesionistë brenda strukturave të policisë. Çështja është se ajo sot sundohet nga një frymë banditeske e motivuar politikisht nga një pushtet i dalë binarësh. Për pasojë institucionet e rendit janë politizuar dhe pushtuar nga njerëz me frustracione militanteske, të cilët e përdorin atë në shërbim të pushtetit që i ka vënë në atë detyrë. Janë pikërisht këta elementë halabakë, të rekrutuar në emër të asaj që rilindja e quan “Policia që duam”, të cilët po prodhojnë, jo vetëm një shtet policor e represiv, por një armiqësi të policisë me qytetarët.

Tre ditë para shoqërimit tim në rajon, bëra një shkrim të gjatë për të shpjeguar këtë realitet si një fenomen psiko-social. E preka me dorë gjithçka më pas në realitet. Egërsia në fytyrat e shumë prej policëve në atë komisariat mund të shpjegohet vetëm me antagonizmin e rrezikshëm që pushteti ka ushqyer tek një pjesë e mirë e strukturave policore. Ky antagonizëm po shkon drejt një lloj polarizimi dhe urrejtje të ndërsjelltë, e cila është e rrezikshme për çdo shoqëri. “Policia që duam”, është bërë në realitet policia që nuk na do, që na urren e na masakron. Kjo është paradhoma e çdo diktature, apo qelia e çdo demokracie.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme